Avokati: Nuk ka asnjë provë se polici ka kryer vrasjen në Suharekë

Avokati Emrush Kastrati, mbrojtës i rreshterit të Policisë Sh.S., i cili i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e sotme në Suharekë, në një bisedë për KALLXO.com ka sqaruar se deri më tani nuk ka asnjë provë që e ndërlidhin klientin e tij me vrasjen në kazino të Suharekës.

“Klienti im ka deklaruar në hetuesi se nuk ka gisht në këtë vrasje. Banesa e tij, vetura dhe lokacionet e tjera janë bastisur por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë që e ndërlidh atë me vrasjen”, tha avokati Kastrati.

Avokati ka treguar se rreshteri është marrë në pyetje për rreth tri orë dhe është ndaluar për 48 orë.

Një 32 vjeçar nga Mushtishti i Suharekës është vrarë sot në mëngjes në një kazino të qytetit, ku po punonte.

Në cilësinë e të dyshuarit është arrestuar një zyrtar i Policisë, me detyrë në stacionin policor Veriu në Prizren.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.

https://kallxo.com/oficeri-i-policise-dyshohet-per-vrasjen-e-sotme-ne-suhareke/

Më pas edhe Policia e ka konfirmuar arrestimin e një zyrtari të saj lidhur me rastin.

https://kallxo.com/e-konfirmon-policia-per-vrasjen-ne-suhareke-dyshohet-oficeri-i-policise/

Vendi ku ndodhi vrasja sot në Suharekë – Foto: KALLXO.com