Gjykimi i Stanishiqit dhe Simatoviqit

Avokati Mohon se Simatoviq u dha Armë Serbëve të Kroacisë

Gjatë marrjes në pyetje para gjykatës së OKB-së në Hagë, avokati mbrojtës i Simatoviqit, Mihajlo Bakraç, tha se dëshmitari i mbrojtur nuk e pa Simatoviqin duke furnizuar me armë serbët kroatë të Republikës Serbe së vetëshpallur të Krajinës, RSK, në Knin, në vjeshtën e vitit 1990, siç pohoi RFJ-066 gjatë dëshmisë së tij kryesore.

Avokati tha se dëshmitari e pa Franko Simatoviqin, i njohur edhe si Frenki, për herë të parë dhe të fundit në nëntor ose në fillim të dhjetorit në vitin 1990 në zyrën e kryetarit të atëhershëm të Kninit, Milan Babiq, ku së bashku me një grup të anëtarëve të SDB-së ai po kërkonte pajisjet përgjuese që autoritetet kroate kishin instaluar.

Dëshmitari, i cili ishte anëtar i policisë së RSK-së në atë kohë konfirmoi se ishte i pranishëm kur “Frenki solli tre ose katër ekspertë” dhe tha “ai ishte shefi i tyre”.

Dëshmitari mohoi atë që Bakraç tha se ai e pa për herë të parë Simatoviqin.

“Jo, ishte hera e dytë. Kur e pashë për herë të parë, ai mbërriti me një fuoristradë ‘Puch’, tha RFJ-066. Sipas dëshmisë së tij të mëparshme, Simatoviq u dha rreth 400 pushkë serbëve të Kroacisë në Knin.

“Në atë kohë, nuk e dinit se kush ishte Simatoviq apo çfarë funksioni kishte. Më vonë, kuptuat se ai ishte anëtar i SDB-së serbe. Prej kujt?”, pyeti Bakraç.

“As sot nuk po them se e njoh. Ai është një mister i madh… Nga Martiq dhe Uros Pokrajaq, që erdhën me Simatoviq… Pokrajaq e lavdëroi atë, duke thënë se ishte dora e djathtë e Jovica Stanisiqit”, u përgjigj RFJ-066.

“Ju po gënjeni. Simatoviq ishte një oficer operativ në zyrën e Beogradit të SDB-së deri në vitin 1992. Ai nuk ishte as anëtar i SDB-së serbe,” tha Bakraç.

“Ajo që thashë është plotësisht e vërtetë. Martiq nuk tha se Simatoviqi ishte oficer i inteligjencës… E di që Simatoviqi ishte dora e djathtë e Stanisiqit dhe se ai bënte çfarë i thoshte,” u përgjigj RFJ-066.

Simatoviq, një ish-anëtar i Sigurisë Shtetërore të Serbisë, është akuzuar së bashku me Jovica Stanisiqin, ish-shefin e Sigurisë Shtetërore të Serbisë, për krime në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë gjatë luftërave të viteve 1990.

Bakraç tha se RFJ-066 “gënjeu” për pretendimin e tij se Simatoviq “u kujdes për pagat” e pjesëtarëve të policisë së RSK-së, të cilët ishin të stërvitur në kampin në Golubiq. Dëshmitari i qëndroi pretendimit të tij.

Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit në katër raste dhe për shkelje të ligjeve të luftës si akuzë të pestë.

Prokurorët pretendojnë se Stanishiq dhe Simatoviq i kryen këto krime, ndërsa ishin pjesë e një organizatë kriminale që synonte largimin e përhershëm dhe me forcë të kroatëve dhe myslimanëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës për të arritur dominimin serb.

Sipas prokurorëve, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq udhëhoqi organizatën kriminale.