Avokati i Latif Gashit i Reagon Shefit të EULEX-it

Avokati Mexhid Syla ka reaguar ndaj deklaratave të Gabriele Meuccit se EULEX-i është dashur t’i bindin autoritetet që dy ish deputetët Latif Gashin, e Rrustem Mustafën  të shkojnë në vuajtje të dënimit.

Syla, i cili është mbrojtës i Latif Gashit në rastin e Grupit Llapit, në një intervistë për KALLXO.com këtë deklaratë e ka quajtur si të papërgjegjshme, jokorrekte dhe të pavërtetë.

“Mendoj se nuk i bën nder as misionit të EULEX-it që ka qenë deri tani e as këtij që do të vazhdojë tani aq më tepër kur kemi të bëjmë me një deklaratë të përgjegjësit kryesor i EULEX-it deri tani siç ka qenë zotëri Meucci”, tha Syla.

Avokati tregon se ai me kolegun e tij Bajram Tmavën i kanë dërguar kërkesë kryetarit të gjykatës se klienti i tyre është i gatshëm që të shkojë në vuajtje të dënimit.

Ai tha po ashtu se klienti i tij e ka përjetuar shumë keq këtë situatë dhe se ka kërkuar që të demantohen këto deklarata.

“Latif Gashi e ka përjetuar shumë këtë situatë,… normalisht  krejt kjo situatë e cila e ka përcjell zotin  Gashi prej vitit 2002 e deri më tani ka qenë një barrë e rëndë edhe ka qenë reagimi i tij dhe kërkesa e tij që sa ma parë të reagohet dhe të demantohet”, tha Syla.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jeta në Kosovë”, Meucci tha se janë pesë raste që kanë të bëjnë me lirimin nga burgjet të tre ish- drejtuesve të UÇK-së në kohën kur Shërbimi Korrektues i Kosovës ka qenë nën vëzhgim strikt nga ana e EULEX-it.

“Janë edhe rastet tjera, si psh. rasti kur dy anëtarë të parlamentit që u dënuan me burg për krime lufte e neve na u desht shumë t’i bindim autoritetet që nëse ekziston një vendim i prerë atëherë ata persona duhet të shkojnë në burg dhe mos të presin në dhomat e pritjeve përgjithmonë”, tha Meucci duke iu referuar rasteve të dy ish- deputetëve të PDK-së, Rrustem Mustafa e Latif Gashi, të dënuar për krime lufte.

http://kallxo.com/pese-rastet-qe-ndikuan-qe-eulex-ta-vazhdoje-mandatin/