Nga gjykimi i Xhafer Shkodrës për vrasjen e gruas. Foto: Kallxo.com

Avokati kundërshton aktakuzën ndaj Xhafer Shkodrës për vrasje të gruas

Xhafer Shkodra është sjellë i prangosur në sallën e gjykatës në Gjakovë për të qenë i pranishëm në seancën e gjykimit për vrasje.

Shkodra akuzohet për vrasjen e gruas së tij, Rabe Shkodrës, në gusht të vitit të kaluar.

Shkodra akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Brenda në seancë, avokati i Shkodrës, Agim Haraçia, kërkoi nga gjykata që ta hedhë poshtë aktakuzën ndaj klientit të tij.

Ai e kundërshtoi në tërësi aktakuzën duke kërkuar nga gjykata që ta hedhë poshtë atë.

“Konsideroj se aktakuza e Prokurorisë nuk ka prova të mjaftueshme për akuzën e vrasjes ndaj të mbrojturit tim”, tha avokati Agim Haraçia.

Ai tha se nëse gjykata nuk e aprovon kërkesën për hedhjen e aktakuzës, do të propozojë që në shqyrtimin kryesor të dëgjohen katër dëshmitarë.

Ndërsa përfaqësuesi i aktakuzës prokurori Ali Uka, kërkoi nga gjykata që kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës ta refuzojë si të pabazuar.

Gjyqtari i rastit Nikollë Komani tha se lidhur me kundërshtimet e palëve do të vendosë me vendim të veçantë.

Në gjykimin e sotëm ishte prezent edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Muharrem Hadri bashkë me mbrojtësin e viktimave Agim Pula.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari Xhafer Shkodra ishte deklaruar i pafajshëm.

Ai kishte thënë se nuk ka pasur për qëllim ta vrasë gruan e tij dhe se e njëjta ishte vrarë “pahiri”.

https://kallxo.com/rrefimi-i-xhafer-shkodres-gruan-e-vrava-pahiri/

Xhefar Shkodra gjendet në paraburgim që nga data 20 gusht 2018.

Sipas aktakuzës, me 19 gusht të këtij viti, për shkaqe ende të panjohura derisa i pandehuri Xhafer Shkodra dhe ish-bashkëshortja e tij Rabe ishin duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tyre, i njëjti me një gjuajtje në gjoks në afërsi të drejtpërdrejtë e privoi atë nga jeta.

Aktakuza thotë se i pandehuri Xhafer Shkodra, pas këtij momenti menjëherë është larguar ndërsa fëmijët e kishin dërguar nënën e tyre në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Kallxo.com kishte raportuar për këtë rast.

https://kallxo.com/vrasja-ne-gjakove-burri-i-deklaron-ne-polici-se-gruaja-e-kishte-armen-ne-dore/

Për këtë rast në kërkesën për caktimin e paraburgimit është thënë se i pandehuri dyshohet se me datë 19 gusht, ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij Rabe Shkodra, 61 vjeçare, si pasojë e një fjalosje të çastit që i pandehuri kishte pasur me tani të ndjerën.

Ndërkaq komandanti i Policisë së Gjakovës, Kristë Gjokaj kishte thënë se dyshimet e para janë se incidenti është shkaktuar nga burri i saj dhe se janë vetëm dyshime për vrasje aksidentale.

https://kallxo.com/ekskluzive-prokuroria-rrezon-tezen-e-policise-se-vrasja-61-vjecares-ne-gjakove-ishte-aksidentale/

Ndërsa dy ditë pas vrasjes së 61 vjeçares në Gjakovë, Prokuroria kishte ka ndërruar qasje sa i përket kualifikimit të ngjarjes, duke e rikualifikuar si “vrasje e rëndë”.

Si rrjedhojë, pas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Xhafer Shkodra, gjyqtari i procedurës paraprake Shaqir Zika kishte caktuar masën e sigurisë prej një muaji.

Sipas deklaratave të familjarëve respektivisht fëmijëve të tyre, bashkëshortët kanë jetuar në harmoni dhe nuk kanë pasur probleme në mes vete dhe dyshimet e tyre janë se rasti ka qenë aksidental dhe se nëna e tyre në atë moment ka qenë duke e pastruar armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

Bashkëshorti i viktimës ishte larguar nga shtëpia dhe më vonë është arrestuar nga policia në lagjen e tij dhe bazuar në deklaratën e tij viktima kishte pasur armën në dorë të cilën ishte duke e pastruar dhe aksidentalisht i ka shkrepur.

https://kallxo.com/vrasja-e-gruas-hetimet-e-prokurorise-zbardhin-vrasje-ne-rastin-qe-policia-e-quajti-aksident/