Gjykimi ndaj Ismajl Rudarit, ish-drejtor ne NLB - 06.02.2019

Avokati kishte rast vdekje, dështon seanca ndaj ish-drejtorit të NLB-së Ismajl Rudari

Gjykimi ndaj ish-drejtorit të bankës NLB, Ismajl Rudari, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në mungesë të avokatit Naser Sopjani është shtyrë.

I akuzuari Ismajl Rudari në seancën e sotme e njoftoi trupin gjykues se mbrojtësi i tij ka rast vdekje.

“Dje në mbrëmje më ka njoftuar avokati im që ka rast vdekje dhe se nuk mund të jetë prezent në gjykimin e sotëm”, tha Ismajl Rudari.

Ismajl Rudari po akuzohet me pretendimin se në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës së Bankës NLB, gjatë periudhës kohore 2003-2005, i ka shkaktuar bankës në fjalë dëm në vlerë prej 305.420,71 euro.

Në aktakuzë theksohet se e gjithë kjo është bërë me qëllim të përvetësimit të pasurisë.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Rudari kishte lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me disa kompani private.

Aktakuza thotë se disa nga këto kompani private ishin NTPSh “Beargo”, në shumën prej 159,193 euro, NB “Limani” në vlerë prej 15,692 euro, NTP “Irsija-Cos” në shumë prej 8,169 euro, NT “Xheneti” në vlerë prej 91,013 euro, NTP “Elektro Vali” 6,604 euro dhe NTP “Altini Comerc” në shumën prej 30,747 euro.

Kryetarja e trupit gjykues Valbona Musliu- Selimaj në seancën e sotme tha se në mungesë të  mbrojtësi nuk janë plotësuar kushtet për vazhdimin e gjykimit, sepse mbrojtja është e obliguar në këtë çështje penale, dhe në mungesë të avokatit e shty seancën. Të pranishëm në sallën e gjykimit ishte prokurori Ardian Gashi, si dhe përfaqësuesja e bankës NLB Erina Gashi.

Seanca e radhës do të mbahet me 27 shkurt.

 

https://kallxo.com/gjykatesi-ne-udhetim-shtyhet-gjykimi-ndaj-ish-drejtorit-te-bankes/

.