Avokati i Popullit: Projektkodi Civil shkel të drejtën kushtetuese për martesat e personave të gjinisë së njëjtë

Projektkodi i ri Civil i Republikës së Kosovës, ashtu si i vjetri, nuk lejon martesën ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

E, në lidhje me këtë ka reaguar Institucioni i Avokatit të Popullit, duke thënë se ky projektkod paraqet shkelje të se drejtës kushteteuse.

“Avokati i Popullit vë në pah se të drejtat dhe liritë e garantuara ne Kushtetutë, mund të kufizohen me ligj, mirëpo neni 55, par. 4 i Kushtetutës përcakton pesë kritere për vlerësimin e proporcionalitetit të një kufizimi të një të drejte të njeriut. Për me shumë, Avokati i Popullit vëren se, nuk është e qartë askund në Projektkod se cilit qëllim legjitim do t’i shërbente mosnjohja e martesave homoseksuale. Po ashtu, nuk është e qartë nëse hartuesit e Projektkodit kanë marrë parasysh pesë kritere kur kanë vendosur të privojnë çiftet homoseksuale nga njohja ligjore e së drejtës së martesës Avokati i Popullit vëren se, në mungesë të një qëllimi legjitim për përjashtimi i çifteve homoseksuale, Projektkodi paraqet shkelje të së drejtës kushtetuese për të mos u diskriminuar në bazë te orientimit seksual”, thuhet në një komunikatë për media.

Avokati i Popullit po ashtu thotë se i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë që të rishqyrtojë mosnjohjen e martesave homoseksuale gjatë fazës së rishikimit të Projektkodit.

“Po ashtu, Avokati i Popullit vënë pah se të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (neni 53), interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropaine për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj). E drejta për respektimin e jetës familjare garantohet me Kushtetutë: “Çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta . . . familjare . . .” (neni 36, par. 1). Në të njëjtën mënyrë, KEDNj përcakton se: “Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij . . . familjare. . .” (neni 8, par. 1).  GjEDNj e ka bërë të qartë se dështimi i një shteti për t’u dhënë çifteve homoseksuale mundësinë e njohjes ligjore të marrëdhënieve të tyre, qoftë edhe në formë jomartesore, paraqet shkelje të kësaj të drejte. Për shembull, në rastin Oliari dhe të tjerë kundër Italisë, Aplikimet Nr. 18766/11 dhe 36030/11 (2015), Gjykata konstatoi se Qeveria e Italisë “dështoi të përmbushte obligimin e saj për të siguruar që aplikuesit të kenë në dispozicion një kornizë ligjore specifike që jep njohjen dhe mbrojtjen e marrëdhënieve të tyre të seksit të njëjtë” (po aty, § 185; shih gjithashtu Orlandi, op. cit., § 210)”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Sipas tyre, edhe pse GjEDNj ende po e lë në diskrecionin e shteteve anëtare të vendosin të lejojnë martesat homoseksuale apo jo, kur bëhet fjalë për Kosovën, Kushtetuta, duke mos përcaktuar shprehimisht se e drejta e martesës është e drejtë e “burrit dhe gruas”, nuk paraqet asnjë pengesë për të konstatuar se privimi i çifteve homoseksuale nga e drejta e martesës, paraqet shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar në bazë të orientimit seksual.

Ndryshe, ky kod ende nuk ka hyrë në fuqi dhe është në diskutim publik.

Në kapitullin e dytë të këtij kodi është e definuar martesa e cila ligjërisht në Kosovë njihet vetëm ndërmjet dy bashkëshortëve të gjinive të ndryshme.

Drejtori i Qendrës për Barazi dhe Liri të komunitetit LGBT në Kosovë (CEL), Blert Morina, ka thënë për KALLXO.com ditë më parë, se konsiderojnë që një gjë e tillë është shkelje e të  drejtave të komunitetit LGBTI dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

 

https://kallxo.com/kodi-i-ri-civil-i-kosoves-nuk-e-lejon-martesen-e-personave-me-gjini-te-njejte/

www.kallxo.com