Avokati i Popullit: Procedura e Deportimit të Turqve Nisi nga 23 Marsi

Zyra e Avokatit të Popullit ka reaguar në lidhje me arrestimin dhe dëbimin nga territori i Republikës së Kosovës të gjashtë shtetasve turq.

Përmes një komunikate për media, avokati i popullit thotë së është jashtëzakonisht i shqetësuar me situatën e krijuar. Ata thonë se janë munduar ta sigurojnë informacion zyrtar për çështjen, por ka qenë e pamundur.

Avokati i Popullit ka dhënë detaje për procedurat e ndjekura në rastin e deportimit të turqve.

“Pas insistimit të pandërprerë të Avokatit të Popullit, Policia e Kosovës (PK), respektivisht Drejtoria për Migrim dhe të Huaj (DMH), sot, më 30 mars 2018, në ora 14:00, ka njoftuar se,  nga ana e DMH-së së PK-së, më datë 29 mars 2018, janë nxjerrë gjashtë Urdhra për largim me forcë të shtetasve në fjalë, nga territori i Republikës së Kosovës, për në Turqi. Lëshimi i këtyre Urdhër largimeve me forcë, është aplikuar duke u bazuar në Vendimet e Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion (DSHAM) të MPB-së, që mbajnë datën 23 mars 2018, të përcjella tek DMH, më 28 mars 2018. Sipas njoftimit të PK-së, shtetasit në fjalë janë ndaluar më 29 mars 2018 dhe  janë përcjellë të njëjtën ditë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga ku ka ndodhur dëbimi për në shtetin e tyre të origjinës”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

“Janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar informacion zyrtar për vendndodhjen  dhe gjendjen e tyre, mënyrën e arrestimit dhe aktin e deportimit drejt shtetit të Turqisë, por kjo ka qenë e pamundur gjatë ditës së djeshme dhe paraditen e sotme”, vazhdon komunikata.

Ata thonë se kanë vendosur të hapin rast Ex-Officio.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe kompleksitetin e rastit dhe konfuzionin e autoriteteve mbi linjën e përgjegjësisë, Avokati i Popullit ka vendosur të hap rast Ex Officio, për të hetuar në detaje veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike”, vazhdon komunikata e tyre.

Sipas tyre, veprimet e ndërmarra nga autoritet publike janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut e të cilat janë të zbatueshme në sistemin e brendshëm juridik të Republikës së Kosovës.

“Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, saktëson qartë garancitë procedurale në lidhje me dëbimin e të huajve. Në kuptim të nenit 3, nenit 6, nenit 8 dhe nenit 13 të KEDNJ-së, ashtu siç edhe Parimit themelor të mos-kthimit (non-refoulement ) sipas Konventës për Refugjatë të vitit 1951, përgjegjësia bie tek autoritetet shtetërore kompetente lidhur me situatën e  krijuar. Mbi të gjitha, garancitë e nenit 3 (ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues) dhe nenit 6 (e drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të KEDNJ-së,  në shoqëritë demokratike, nuk mund të shfuqizohen (derogohen), as në rrethanat e jashtëzakonshme”, thuhet në komunikatë.

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë janë arrestuar 6 persona me nënshtetësi turke.

Bartësit e institucioneve kryesore në vend kanë thënë se ata nuk kanë qenë të njoftuar për këtë veprim.

Sot gjatë ditës, Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe nga shefi i AKI-së, Driton Gashi.

Sot gjatë ditës ka pasur edhe protesta para ndërtesës së Qeverisë.