FCB

Avokati i Popullit nis hetimet për hidrocentralet në Deçan dhe Shtërpcë, kërkon pezullimin e operimit

Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me operimet  hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpcë.

Për këtë, ky institucion i ka dërguar edhe një kërkesë për masë të për përkohshme Ministrisë së Mjedisit.

“Avokati i Popullit, bazuar në nenin 16 të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, ka iniciuar hetime sipas detyrës zyrtare Ex officio, lidhur me operimin e hidrocentraleve në Deçan, si dhe ka iniciuar hetime bazuar në ankesën e z. Dobrivoje Stevanoviqit dhe 1200 të tjerëve, që ka të bëjnë me çështjen e hidrocentraleve në Shtërpce. Hetimet kanë të bëjnë me ligjshmërinë e operimit të hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpce dhe ndikimin e tyre në mjedis”, thuhet në kërkesën e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit nëpërmjet një kërkese ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të  t’i pezullojë punën dy hidrocentralet e këtyre dy qyteteve.

“Duke konsideruar se situata mund të ketë pasoja të pariparueshme në mjedis, i rekomandon Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që t’i pezullojë aktivitetet e hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpce, deri në dhënien e sqarimit për ligjshmërinë e operimit të hidrocentraleve në fjalë, si dhe sqarimet për kompetencat mes autoriteteve përgjegjëse”, thuhet në shkresën e Avokatit të Popullit.

Sipas kërkesës, masa e përkohshme do të zgjasë deri në vlerësimin e Avokatit të Popullit për pranimin e sqarimeve të mjaftueshme nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe nga organet tjera relevante përkitazi me ligjshmërinë e operimit të hidrocentraleve në fjalë, si dhe sqarimet për kompetencat mes autoriteteve përgjegjëse.

Kjo kërkesë është dërguar edhe për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministrin, Ramush Haradinaj, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Muharrem Nitaj, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Mjedis, Arsim Janova, Ushtruesit të detyrës së kryesuesit të Bordit të ZRrE-së dhe dy kryetarëve të komunave, Bashkim Ramosajt të Deçanit dhe Bratislav Nikoliq, kryetar i komunës së Shtërpcës.

Këtu mund ta gjeni kërkesën e plotë të Avokatit të Popullit.

Të shtunën e kaluar në komunën e Deçanit u protestua kundër operimit të hidrocentraleve pa leje.

Kjo protestë erdhi  vetëm pak ditë pasi Bordi i ZRrE-së pranoi një kërkesë të operatorit ekonomik “KelKos Energy” për shtyrjen e afatit për kompletimin e dokumenteve edhe për 90 ditë të tjera.

Vjetërsohet lënda ndaj kompanisë që planifikon të investojë miliona në hidrocentrale