Avokati i Popullit: Ministri ta Tërheqë Kërkesën për Anulimin e Konkursit në IPK

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i ka përcjellë sot kryeministrit Ramush Haradinaj, ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe kryeshefit ekzekutiv të Inspektoratit Policor, Hilmi Mehmetit, raportin me rekomandime në lidhje me vendimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, të datës 29 dhjetor 2017, për anulimin e procesit të rekrutimit për inspektorët/hetuesit, të cilët do të hetonin Policinë e Kosovës.

Sipas raportit, Avokati i Popullit rekomandon ministrin Sefaj që të tërheq kërkesën me të cilën ka kërkuar nga kryeshefi i IPK-së, Hilmi Mehmeti, anulimin e procesit të rekrutimit në IPK.

Po ashtu, gjithnjë sipas raportit, kryeshefi ekzekutiv i IPK-se në pajtim me përgjegjësitë e tij dhe në pajtim me ligjin për procedurën e përgjithshme administrative të ndërmarr veprime për anulimin e vendimit të procesit të rekrutimit të hetuesve/inspektorëve si dhe Ministritë e punëve të Brendshme të përmbahen nga ndërhyrjet në organizimin dhe punësimin e personelit dhe marrjen e vendimeve për çështjet që i përkasin funksioneve të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

KALLXO.com ka shkruar në lidhje me konkursin e IPK-së dhe anulimin e tij.

Inspektorati Policor i Kosovës pati anuluar konkursin e 24 korrikut me të cilin synohej të rekrutoheshin katër hetues të cilët do e hetonin Policinë e Kosovës.

Në korrik të 2017 IPK kishte hapur konkursin për 6 pozita të shërbyesve civilë dhe konkursin për plotësimin e vendeve të lira të punës për 17 inspektor/hetues.

IPK në vendimit të publikuar në web faqen nuk kishte dhënë shumë detaje mirëpo kishte treguar se me vendimin e kryeshefit Hilmi Mehmeti është anuluar konkursi.

Më 6 nëntor të vitit të kaluar ministri Flamur Sefaj kishte marrë vendim që të mos nënshkruhen kontratat për kandidatët që janë përzgjedhur në konkursin e shpallur më 24 korrik 2017 “Inspektor/Hetues”.

Po atë ditë Ministria nëpërmjet një komunikate kishte dhënë edhe arsyet e pezullimit të këtij konkursi.

“Ky vendim është marrë pas ankesave të shumta që kanë bërë kandidatët të cilët kanë marrë pjesë në këtë konkurs. Ministri Sefaj ka kërkuar nga auditorët e brendshëm të MPB-së dhe i Inspektoratit Policor të Kosovës për të vlerësuar të gjithë procesin”, thuhej në komunikatën e MBP-së.

KALLXO.com raportoi në nëntor për vendimin e ministrit Sefaj për anulimin e konkursit .

http://kallxo.com/ministri-pezullon-nje-konkurs-te-inspektoratit-policor/