Avokati i Popullit me Mendim Juridik për transgjinorin kosovar që sfidoi shtetin për t’ia pranuar identitetin

Avokati i Popullit në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore të tij, në cilësinë e mikut të gjykatës i ka paraqitur Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Mendimin Juridik, i cili ka për qëllim të argumentojë bazën ligjore dhe të ofrojë një analizë ligjore përkitazi me rastin e Rina Kikës, avokate e autorizuar nga Blert Morina, për shqyrtimin e pranueshmërisë së kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese.

“Qëllimi i paraqitjes së Avokatit të Popullit, në cilësinë e mikut të gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, është që të mbështesë kërkesën për lirim nga detyrimi i shterjes së të gjitha mjeteve juridike, për shkak se rrethanat e rastit e bëjnë pritjen e procedimit të padisë nga Gjykatat e rregullta mjet jo-efektiv dhe të papërshtatshëm”, thuhet në njoftimin e institucionit të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit duke u bazuar në  praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) ka vënë në pah, se rregulli i shterimit të mjeteve juridike duhet të zbatohet me një shkallë fleksibiliteti dhe pa formalizëm të tepruar, duke e sqaruar se rregulli i shterjes së mjeteve juridike nuk është absolut dhe nuk duhet të zbatohet në mënyrë automatike, por është më rëndësi të merren parasysh rrethanat e posaçme të secilit rast individual.

Avokati Popullit po ashtu ka vënë në pah edhe praktiken e vet Gjykatës Kushtetuese në rastet, kur kjo gjykatë kishte konstatuar se parashtruesit nuk kishin qasje në mjete juridike efektive dhe e kishte lejuar shfrytëzimin e këtij juridiksioni pa i shterur mjetet juridike, prandaj këto konstatime përshtatshmërisht do të mund të zbatoheshin edhe në rastin e Blert Morina.​

Tani, 28 vjeçar, Blert Morina është anëtari i parë i komunitetit trangjinor të Kosovës që publikisht sfidoi shtetin për refuzimin ndaj tij për të ndryshuar zyrtarisht emrin e tij të parë femëror Blerta ose për të ndryshuar gjininë në dokumentet e identitetit nga ‘femër’ në ‘mashkull’.

Kërkesa iu refuzua më 16 Maj nga Zyra e Gjendjes Civile në vendlindjen e Morinës në Gjakovë.

Morina kishte kërkuar ndërrimin e emrit të tij zyrtar pasi emri pengoi integrimin e tij në shoqëri, si një nga arsyet e mundshme për ndryshimin e emrit, listuar sipas ligjit.

Transgjinori kosovar sfidon shtetin që t’ia pranojë identitetin e tij