Hilmi Jashari, Avokat i Popullit. Foto: Kallxo.com

Avokati i Popullit: Bojkoti i avokatëve është shkelje e Konventës europiane për të drejtat të njeriut

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se bojkoti i avokatëve është shkelje e nenit 6 të Konventës europiane për të drejtat e njeriut, pasi, sipas tij, nga situata e krijuar po shkelet e drejta për një proces të rregullt.

“Është e papranueshme situata e cila është krijuar, sidomos në rastet e paraburgimit, ku personat të cilët janë në paraburgim mbesin pa përfaqësim. Është shkelje e nenit 6 të Konventës europiane për të drejtat e njeriut”, tha Jashari.

Ai shtoi se janë duke e analizuar situatën dhe vendimin nëse është kushtetues dhe ligjor.

“Jemi duke e analizuar situatën dhe vendimin nëse është kushtetues dhe ligjor. Si duket është selektiv pasi nuk përfshin palët e tjera. Këto çështje jemi duke i analizuar”, tha Avokati i Popullit për KALLXO.com.

Avokatët e Kosovës dje kanë nisur një bojkot të përgjithshëm pas një vendimi të Odës së Avokatëve.

Ky vendim erdhi pas një urdhri të Gjykatës Themelore të Prizrenit me të cilin u kufizua qasja e avokatëve në objektet e Gjykatës.

Urdhri i tillë gjeti mbështetje edhe te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i cili sugjeroi që edhe gjykatat tjera të Kosovës ta zbatojnë këtë vendim.

Bojkoti i djeshëm bëri që në gjithë Kosovën të dështojnë mbi 100 seanca gjyqësore.

https://kallxo.com/greva-e-avokateve-dhjetera-seanca-te-anuluara-e-te-shtyra-ne-gjykaten-e-prishtines/

https://kallxo.com/greva-e-avokateve-con-ne-deshtimin-e-shume-seancave-ne-gjakove/

https://kallxo.com/bojkoti-i-avokateve-ne-gjykaten-e-prizrenit-deshtojne-50-seanca/

www.kallxo.com