Oliver Ivanoviq

Avokati i Oliver Ivanoviqit Jep Fjalën Përfundimtare

Avokati mbrojtës i Ivanoviçit Nebojsa Vlajiç tha në gjykatën e Mitrovicës ditën e enjte se çështja e prokurorisë kundër politikanit serb ishte e pabazë.

“Nuk mund ta dënoni dikë vetëm se ata besojnë se ai ka pasur përgjegjësi komanduese. Ne mund të paragjykojmë, por gjykata jo,” tha Vlajiç në komentet e raportuara nga faqja e internetit kossev.info.

Ivanoviç është një ish-zyrtar i qeverisë serbe dhe kreu i partisë së serbëve të Kosovës të quajtur Liri, Demokraci, Drejtësi.

Ai akuzohet për krime lufte duke urdhëruar vrasjen e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur supozohet se ai ishte lider i një njësie paraushtarake policore.

Ai akuzohet gjithashtu, bashkë me një person tjetër, për nxitje të vrasjes së shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Vlajiç e kundërshtoi dëshminë e dëshmitarit kryesor të gjyqit, Isa Mustafës, i cili dëshmoi se politikani serb ishte pjesë e një grupi paraushtarakësh që e kapëm atë dhe shqiptarë të tjerë etnikë ditën që ndodhën vrasjet në vitin 1999.

Avokati mbrojtës tha se dëshmitë e shumta që kishte dhënë Mustafa nuk kishin konsistencë.

Katër të pandehur të tjerë, Dragoljub Delibasiç, Aleksandar Lazoviç, dhe babë e bir Ilija dhe Nebojsa Vujaciç, gjithashtu po përballen me akuza për vrasje ose tentativë për vrasje.

Të gjithë e kanë deklaruar veten të pafajshëm.