Naser Pajazitaj në Gjykatë - Foto e datës 25.3.2019

Avokati i Naser Pajazitajt flet për dënimin e klientit të tij me burg të përjetshëm

Naser Pajazitaj, i akuzuar për vrasje ‘dinake’ të Donjeta Pajazitajt, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Pejës.

Pajazitaj akuzohej se në mënyrë ‘dinake’ e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn e cila ishte duke shkuar në punë.

Lidhur me dënimin e Naser Pajazitajt, KALLXO.com e ka kontaktuar mbrojtësin e të akuzuarit, avokatin Gëzim Kollcaku i cili deklaroi se do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Avokati Kollçaku tha se është shumë kureshtar të kuptojë se mbi çfarë fakte e ka bazuar dënimin me burgim të përjetshëm, Gjykata e Pejës.

“Po qysh mos me bo ankesë more, unë jam shumë kureshtar me e ditë se çka gjeti Gjykata prej herës së parë që është liruar”, tha Kollçaku.

Faktin se Gjykata e Pejës në shpallje të aktgjykimit ka konstatuar se deri te kjo gjendje faktike ka ardhur pas nxjerrjes së provave të reja që kanë munguar më parë dhe se këto prova të reja në lidhshmëri me prova të tjera e dëshmojnë se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, avokati Kollçaku tha se nuk e di se në çfarë provave është bazuar Gjykata që e ka shtyrë në marrjen e këtij vendimi të ri, pasi që sipas tij në rigjykim nuk është administruar asnjë provë e re dhe se nuk është dëgjuar asnjë dëshmitar i ri.

https://kallxo.com/burgim-i-perjetshem-ndaj-te-akuzuarit-per-vrasjen-e-donjeta-pajazitajt/

“Veç Gjykata i dinë, ka me i imagjinu se në ato krejt shqyrtimet gjyqësore të gjitha ato prova që kanë qenë herën e parë…asnjë provë më të voglën nuk është e re, asnjë dëshmitar amo bash kurgjo hiq. Nuk kam ide…por jam kureshtar ta di se në bazë të cilave prova në bazë të çfarë motivi me ja jep njeriut dënim me burgim të përjetshëm. Me të vërtetë jam shumë i zhgënjyer”, tha për KALLXO.com avokati Gëzim Kollçaku.

Sipas prokurorisë, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i pandehuri Naser Pajaziti ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën me ç ‘rast e kishte dërguar tek vendi “Kroi i Lajthisë”, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Për këto akuza, herën e parë Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila ka vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.