Gjykimi i Avni Mazrrekut - Foto: KALLXO.com

Avokati i Mazrrekut: Mosrealizimi i pagesës në emër të ISPE ishte gabim teknik

Në gjykimin ku ish-drejtori i Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, po akuzohet për legalizim të përmbajtjes së rremë, është kundërshtuar aktakuza dhe është kërkuar hedhja e saj.

Avokati i Mazrrekut, Tomë Gashi, përmes parashtresës së dorëzuar me shkrim në Gjykatë, ka kërkuar që gjykatësi të nxjerrë aktvendim mbi hedhjen e aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj klientit të tij.

Arsyetimi i tij i përdorur në këtë parashtresë ka qenë mungesa e provave që do të mund ta mbështesnin dyshimin e bazuar mirë se Mazrreku ka kryer këtë vepër penale.

Madje, ai pretendon se Mazrreku nuk ka vënë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik- regjistër apo libër të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore.

“Ai ka dhënë sqarimet në deklaratën e tij të dhënë në Polici lidhur me këtë çështje, se kemi të bëjmë me çështje të gabimit teknik që është bërë në Raiffeisen Bank për shkak të pagesës përmes sistemit E- Banking”, ka shtuar avokati Gashi.

Tutje, ai ka theksuar se arsyet për mosrealizimin e kësaj pagese do të vërtetoheshin edhe përmes angazhimit të ekspertit financiar, i cili sipas tij do t’i vërtetonte pretendimet e paraqitura nga Mazrreku.

“Pa angazhimin e ekspertit financiar, nuk është e mundur që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë meritore dhe që Gjykata të sjellë vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, ka theksuar ai.

Në këtë parashtresë po ashtu pretendohet se në këtë rast nuk ka palë të dëmtuar, me arsyetimin se të gjitha pagesat janë realizuar, me ç‘ rast sipas avokatit, bën që të mungojë elementi kryesor për ekzistimin e veprës penale.

Por, kjo kërkesë e avokatit për hedhje të aktakuzës u refuzua nga gjykatësja e rastit, Fatime Dermaku.

Ndryshe, më 19 mars të këtij viti u mbajt seanca fillestare pas afër 2 vjetësh që nga ngritja e aktakuzës, ku edhe Mazrreku u deklarua i pafajshëm në akuzat e Prokurorisë.

Çështja ndaj ish-pronarit të Kolegjit ISPE Avni Mazrrekut ishte nisur pas një kallëzimi penal të muajit janar 2015. Hetimet kishin përfunduar me aktakuzën e prokurores Gjejrone Alaj, në vitin 2016, për ‘legalizim të përmbajtjes së pavërtetë’ në hetimet e nisura ndaj drejtorit dhe pronarit të atëhershëm të Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, në vitin 2014. Mazrreku më nuk është pronar i Kolegjit ISPE. Aktakuza lidhet me procesin e akreditimit të kolegjit, përkatësisht pagesat të cilat duhej kryer në Agjencinë Kombëtare të Akreditimit.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Mazrreku akuzohet se e kishte vënë në lajthim Agjencinë e Akreditimit kur u kishte paraqitur dëshminë se ai kishte kryer pagesën prej 19,300 Euro.

Pagesa sipas Prokurorisë nuk ishte bërë, ndërsa me këtë dëshmi-pagese aplikacioni i Kolegjit ISPE është futur në shqyrtim në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, e cila është mbajtur më datën 1 korrik të vitit 2014.

Sipas dëshmitarëve të Prokurorisë, pagesa e pretenduar “nuk ka shkuar asnjëherë në institucionin e AKA- së”. E Mazrreku, para prokurorit, është arsyetuar se kjo mund të ishte vetëm një gabim teknik.

“Pagesën në shumën prej 7.000 euro e kam kryer më 30.06.2014, më 14.11.2014 shumën prej 9.300 euro dhe me 26.11.2014 shumën prej 10.000 euro. Pagesën në shumë prej 19.300 euro e kam bërë unë përmes sistemit elektronik ‘E-banking’ nga llogaria e kolegjit ISPE në ‘Raiffeisen Bank’, ku shihet se ka mbetë në hapin e dytë e për t’u realizuar është dashtë të kalohet në hapin e tretë, ku kjo ka mundur të jetë një gabim teknik dhe vetë sistemi elektronik ‘E-banking’ i Raiffeisen Bank nuk e lejon këtë tip të pagesave. Edhe në rastin e dytë më datën 13.11.2014 është kryer në tre hapa pagesa dhe ky nuk është rasti i parë që kemi pasë probleme dhe është gabim teknike edhe rrjeti i Internetit mund të ndalë procesin e realizimit të pagesës”, kishte thënë Mazrreku në prokurori.

http://kallxo.com/avni-mazrreku-del-para-gjykates/

Aktakuza ndaj Avni Mazrrekut ishte ngritur në vitin 2016, ndërsa në muajin shkurt të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar se gjykata nuk ka mbajtur asnjë seancë për këtë rast.

Aktakuza ‘e Fjetur’ Kundër Avni Mazrrekut