Avokati i Adem Grabovcit akuzon Drita Hajdarin për presion te gjyqtarët dhe avokatët

Fjala hyrëse e Prokurores Speciale, Drita Hajdari ka shkaktuar reagime të shumta në seancën për rastin ‘Pronto’.

Përveq të akuzuarve reagoi edhe avokati mbrojtës i Adem Grabovcit, ish-deputet i PDK-së i akuzuar në këtë rast.

Në këtë rast po akuzohen 11 personave, ndër ta zyrtarë me funksione të larta, ish-deputetë dhe një ish-ministër.

Florent Latifaj, ish-gjyqtar dhe tani avokat ka kritikuar prokuroren Drita Hajdari për fjalën hyrëse duke thënë se po ndihet i frikësuar nga ajo.

“Në fjalën e saj hyrëse.. pa ju referuar me emra por në shumës avokatët e tyre thotë: Në këto rrethana dhe në këtë ambient të krijuar për vite me radhë me mundin e të pandehurve të fuqishëm por falë edhe këshillave juridik të avokateve të tyre sepse kjo situatë në sferën e drejtësisë juk kishte mundur të krojohet pa ndihmën dhe angazhimin e disa avokatëve të cilët nuk zgjedhin mjete dhe gjejnë rrugë dhe kanale për ta anashkaluar ligjin unë sot po hyj në një betejë juridike e gatshme për tu përballur me të gjitha sfidat e rastit”, tha avokati.

Ai tha se prokurorja po i referohet avokatëve mbrojtës.

“Unë personalisht besoj shumë në trupin gjykues po sinqerisht po them ja kom nis me u frkësuar prej prokurorisë dhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të provohet se Prokuroria nuk e ka as edhe një provë të ligjshme, të vetme për ta përdorur në këtë shqyrtim gjyqësor por edhe më tutje do të shërbehet me terme, politike, gazetareske dhe me zbërthimin foljeve në trajta të ndryshme”, shtoi avokati.

Ai në vazhdimësi tha se prokurorja nuk ka prova në këtë rast dhe madje sipas tij ka shkelur ligjin në fazën e hetimit të këtij rasti.

Ai përmendi edhe tensionet mes prokrurores dhe gjyqtarit të këtij rasti gjatë fjalës hyrëse, ku prokurorja Hajdari ia përmendi gjykatësit rastin e lirimit të gjykatësit Sali Mekaj nga akuzat.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

https://kallxo.com/prokurorja-e-pronto-s-pergjigjuni-qytetareve-per-bisedat-ne-telefon/