Foto-ilustrim

Avokati flet për aksionin e specialëve në arrestimin e shtetasit Gjerman

Pak orë pas aksionit të policisë  për arrestimin e një shtetasii Gjermanisë avokati Asdren Hoxha ka sqaruar arsyet e arrestimit të klientit të tij.

Hoxha, ka thënë për KALLXO.com se arrestimi është bërë me kërkesë të autoriteteve Gjermane.

“Arrestimi është bërë me kërkesë të INTERPOL-it Gjerman. Veprat për të cilat dyshohet janë “falsifikim i parasë” dhe “trafikim me narkotik”.

Sipas avokatit Hoxha, i arrestuari është duke u kërkuar nga data 25 tetor.

Hoxha ka sqaruar për KALLXO.com se i njëjti nuk është i dënuar me 20 vite burg, por është duke u kërkuar për një procedurë e cila është e re.

“Nuk është i dënuar më herët, është vetëm i kërkuar. Është duke u zhvilluar një procedurë në Gjermani dhe dikush ja ka perënduar emrin dhe ka filluar kërkimi i tij”, tha Hoxha.

Ai po ashtu shtoi se i njëjti nuk ka qenë i informuar se është duke u kërkuar.

“Personi në fjalë nuk e ka ditur se po kërkohet,  ka ardhur  legalisht në Kosovë, me pasaportë është futur në Kosovë. Ai ka postuar fotografi në rrjetet sociale që ndodhet në Kosovë, nuk është fshehur dhe nuk ka ikur”, tha Hoxha.

KALLXO.com ka raportuar për arrestimin e shtetasit Gjerman i cili ishte në kërkim nga autoritetet Gjermane.

Ai është arrestuar mbrëmë në një aksion të njësive speciale të policisë. Lajmi për aksionin është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë Bajram Krasniqi.

“Policia mbrëmë ka arrestuar një shtetas gjerman në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar. I njëjti është i kërkuar nga autoritet Gjermane”, ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

Krasniqi tutje shtoi se çështja e ekstradimit të tij është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë.

 

https://kallxo.com/arrestohet-ne-kosove-i-kerkuari-nga-gjermania/