FOTO KALLXO: Gjykimi i avkokatit Haxhi Çekaj

Avokati e kundërshton ndërrimin e trupit gjykues, shtyhet gjykimi për mashtrim

Në gjykimin e ish-avokatit Haxhi Çekaj, i cili po akuzohet për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, seanca e planifikuar të mbahej është shtyrë për shkak të ndërrimit të përbërjes së trupit gjykues, kjo për arsye se njëri nga anëtaret e trupit gjykues mungoi.

Në mungesë të gjyqtarit Vesel Ismajli, për të cilin u tha se ndodhej në një trajnim, si zëvendësim anëtar i trupit gjykues ishte caktuar gjyqtari Beqir Kalludra.

Caktimin e një gjyqtari të ri në këtë fazë të shqyrtimit gjyqësor e kundërshtoi avokati Besnik Berisha, i cili deklaroi se në këtë fazë në të cilën ndodhet gjykimi është e papranueshme ndërrimi i përbërjes së trupit gjykues.

Ai tha se nuk ka vërejtje subjektive, por vetëm vërejtje objektive.

“Nuk e kontestojmë gjyqtarin si gjykatës por e kontestojmë në stadin kur dëshmitarja kryesore e rastit pothuajse është në përfundim të saj dhe e konsiderojmë tejet të rëndësishme vazhdimin e këtij gjykimi në përbërje të njëjtë të trupit gjykues apo ripërsëritjen e dëshmisë së dëshmitares në përbërje të gjyqtarit të ri. E gjithë kjo për shkak të një procesi të drejtë dhe të gjetjes së të vërtetës në këtë çështje”, tha Berisha.

Me propozimin për shtyrje të seancës gjyqësore për një datë tjetër u pajtua edhe prokurori i prokurorisë speciale Sylë Hoxha.

E një propozim i tillë u aprovua nga trupi gjykues në atë mënyrë që seanca e radhës u caktua me datën 1 tetor.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën M.I., nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Në bazë të aktakuzës, Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

Dëmi i shkaktuar të dëmtuarës tejkalon shumën prej 50 mijë eurove.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportimet për këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.