Avokati Natal Bullakaj - Foto: KALLXO.com

Avokati: Do ta apeloj dënimin e Remzi Shalës (VIDEO)

Natal Bullakaj, avokati i ish-eprorit të UÇK-së, Remzi Shala, i njohur gjatë luftës me nofkën “Molla e kuqe”, paralajmëroi sot se do ta apelojë dënimin e klientit të tij.

Remzi Shala u dënua sot nga Gjykata e Prizrenit me 14 vjet burgim.

Por, avokati i tij po pretendon se dënimi është i lartë dhe se ai do të apelojë ndaj këtij dënimi.

“Një ndër dënimet më të padrejta që ndonjëherë janë shqiptuar. Ky vendim konsideroj se nuk do të qëndrojë. Është vendim që nuk e kam pritur. Edhe pas shpalljes, bindshëm dhe prapë, jam i pathyeshëm në bindjen për pafajësinë e të mbrojturit tim. Gjykata nuk e ka marrë për bazë pretendimet e mbrojtjes dhe deklaratat e të akuzuarit se ai nuk ka të bëjë asgjë me rastin e Haxhi Perteshit. Dënimi është maksima, do ta apeloj dhe konsideroj se do të prishet“, tha për KALLXO.com avokati Natali Bullakaj.

Gjykata në Prizren e ka shpallur fajtor ish eprorin e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës (UÇK), Remzi Shala në akuzën për krime lufte dhe e ka dënuar me 14 vjet burg.

Ndaj tij do të vazhdojë masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës.

Remzi Shala është gjykuar në Prizren për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës 21 vjet më parë, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.

Në fjalën përfundimtare Remzi Shala ishte i shkurtër në deklarimin e tij, duke thënë se i njëjti asnjëherë nuk është marrë me popullatë civile “ Jam krenar që kam qenë ushtar i UÇK-së, dhe gjatë luftës nuk jam marrë me popullatë civile as shqiptare e as serbe ‘’ me këto fjalë e përfundoi i akuzuari Shala deklarimin e tij të fundit në këtë gjykim.

Mbrojtësi i tij avokati Natal Bullakaj i kërkoi trupit gjykues që i akuzuari Remzi Shala të lirohet nga akuzat për shkaka të mungesës së provave, sipas Bullakajt aktakuza e Prokurorisë Speciale është e bazuar vetëm në një deklaratë dhe atë deklaratën e të dëmtuarit Agron Perteshi që njëherë është edhe djali i të ndjerit Haxhi Perteshi.

Prokurori nga radhët e prokurorisë speciale Haki Gecaj tha që gjatë gjykimit është vërtetuar aktakuza e Prokurorisë, dhe se i akuzuari Remzi Shala duhet të dënohet sipas ligjit për veprat penale krime lufte ndaj popullatës civile.

Avokati Asdren Hoxha që përfaqëson familjen Perteshi gjithashtu ishte i mendimit sikurse prokurori, duke theksuar se i akuzuari Shala duhet të dënohet ngase nga të gjitha deklaratat e dëshmitarëve është vërtetuar aktakuza e Prokurorisë se Remzi Shala ka qenë pjesë e grupit që e kanë rrëmbyer të ndjerin Haxhi Perteshi.