Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli në foltoren e kuvendit

Avdyli: Derisa qeveria po falë miliona, furnizimi me barna nuk po përmirësohet

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Haxhi Abdyli në seancën e sotme tha se derisa Qeveria e Kosovës po falë miliona euro në anën tjetër po shumëfishohen shpenzimet e qytetarëve për barna.

“53 mil euro për Bechtel Enka dhe disa të tjera për të shkuar në deti. Sot kur, askush nuk po pyet sa po shumëfishohen shpenzimet e qytetarëve për barna, familjarët në heshtje po i shpenzojnë kursimet për shërim. Përkundër buxhetit furnizimi me barna nuk po përmirësohet”. tha Avdyli.

Ai tha se sot i vetmi qytetar i Evropës pa sigurime shëndetësore është qytetari i Kosovës.

“Reforma në shëndetësi ka ngecur, ligji për shëndetësi si ligji bazik akoma nuk ka ardhur në komision dhe është larg për tu ndryshuar. Reforma nuk është vetëm prerja e shiritave dhe ndërtimi i spitaleve megalomane”, theksoi Avdyli.

Avdyli në foltoren e Kuvendit i bëri apel kryeministrit, ministrit të financave dhe ministrit të shëndetësisë që të krijojnë një fond emergjent për furnizim me barna.