Avdullah Hoti ia rikujton Veselit e Haradinajt premtimet për arsimtarët

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kujtuar marrëveshjen e nënshkruar gjatë fushatës së fundit zgjedhore ndërmjet kryeministrit Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veselit me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Hoti në një postim në Facebook thotë se dikur koalicioni PAN kërkonte votat e arsimtarëve, e tani u kërkojnë ndërprerjen e grevës.

“Dikur koalicioni i “punëve të mëdha” kërkonte votat e arsimtarëve, duke iu garantuar 30% rritje të pagave (shih videon). Tani me arrogancë u kërkojnë ndërprerjen e grevës. Mashtrimet elektorale kanë dalë sheshit”, ka shkruar Hoti duke bashkangjitur me një video të datës 5 qershor 2017.

Hoti thotë se kërkesat e SBAShK-ut duhet të merren në konsideratë, pasi që sipas tij, grevistet po kërkojnë vetëm trajtim të barabartë.

“Zgjidhja është e thjeshtë: 1. Qeveria të anulojë vendimin për dyfishimin e pagës për vete. 2. Projektligji i pagave të tërhiqet dhe të rishkruhet në konsultim me arsimtarët, mjekët, shërbyesit civil, policinë, zjarrfikësit, doganierët, inspektorët tatimorë, komunat dhe sektorët e tjerë”, thuhet në postimin e shefit të grupit parlamentar të LDK-së.

Sot arsimtarët kosovarë janë në ditën e tetë të grevës së përgjithshme.

Kjo grevë ka bërë që gjysmëvjetori i dytë të mos fillojë fare.