Avdullah Hasani, shef i Task- Forcës kundër drogës në shkolla

Numrit të madh të anëtarëve të kabinetit qeveritar të udhëhequr nga kryeministri, Ramush Haradinaj këtë javë i është shtuar edhe një  pozitë e re.

Në mbledhjen e Qeverisë është formuar task forca për luftimin e drogave në shkolla, si dhe fillimi i fushatës kundër këtij fenomeni.

Shefi i Task Forcës është emëruar, Avdullah Hasani ndërsa zëvendës shef për çështje operacionale është emëruar Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Çalaj.

Avdullah Hasani ishte emëruar koordinator Nacional për Gjeneratën e Re.

Vendimi për fillimin e fushatës kundër përdorimit të narkotikëve dhe formimi i Task Forcës kundër narkotikëve dhe sigurisë në shkolla, ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar.

Sipas kryeministrit Ramush Haradinaj qëllimi i formimit të Task Forcës është parandalimi, luftimi dhe largimi i drogës nga institucionet shkollore.

Sipas Qeverisë, ky do të jetë qëllim primar, ndërkaq synohet përgjithësisht luftimi i drogës në mesin e të rinjve. Task Forca do të ndërmerr veprimet e nevojshme që droga të mos jetë prezent te të rinjtë.

Koordinatori ka pagë të barasvlershme me pagën e ministrit/es dhe se ai ka të drejtë të emëroj edhe tre këshilltar/e politikë dhe një asistent/e të cilët do të kenë pagën e vlefshme me këshilltarët dhe asistentët e ministrave.

Sipas Ministrisë së financave, paga bruto e një ministri është 1,270.50 euro.

Sa u përket këshilltarëve, bazuar në përgjigjet e Ministrisë së Financave, një këshilltar politik ka pagën 577 euro e 50 centë. Që i bie këshilltarët e koordinatorëve nacional kanë pagat njëlloj sikurse të këshilltarëve të ministrave.

Secili nga koordinatorët ka të drejtë të emëroj 3 këshilltar, e që arkës së shtetit të tre bashkë do t’i kushtojnë 1 mijë e 728 euro në muaj, ndërsa për një vit 20 mijë e 736 euro. Për tri vjet këta këshilltarë 62 mijë e 208 euro.

Njësoj vlen edhe për asistentët/et. Një asistent/e ekzekutiv/e  ka pagën 464.75 euro. Për një vit një asistent do t’i kushtojë qeverisë 5 mijë e 577 euro ndërsa për tri vjet 16 mijë e 731 euro.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar Qeveria Haradinaj zyrtarisht ka të emëruar katër koordinatorë, Besnik Tahirin – koordinator nacional për Reforma Shtetërore, Mendim Rugovën – koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit, Rexhep Hotin – koordinator nacional për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Avdullah Hasani koordinator Nacional për Gjeneratën e Re.

KALLXO.com ka kërkuar nga Qeveria informacione nëse koordinatori Hasani do të vazhdojë të mbajë të dy pozitat, po deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, redaksia nuk ka pranuar përgjigje.