Avancet e hapura të Ministrisë së Inovacionit

Në Ministrinë e Inovacionit avancat për udhëtimet jashtë vendit kanë mbetur të hapura deri në 10 muaj, në kundërshtim me procedurën për avancet.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se në 13 raste, avancet për udhëtime zyrtare në vlerë 13,367 euro, ishin mbyllur me vonesë deri në 10 muaj dhe si pasojë e vonesave, mjetet tepricë në vlerë 1,779 euro nuk ishin deponuar me kohë në llogari të ministrisë. 

Tutje Auditori ka shpjeguar se në avancin e tërhequr në vlerë 3,125 euro për udhëtimin zyrtar në ShBA, ishin realizuar tri udhëtime zyrtare të njëpasnjëshme, pa u bërë mbyllja e avancit nga udhëtimi paraprak. Mjetet e pashpenzuara nga udhëtimi i parë, ishin bartur tek dy zyrtarët tjerë për t`u realizuar dy udhëtimet vijuese, në Belgjikë dhe Bosnje dhe Hercegovinë. 

Në raportin e auditimit për vitin 2018, thuhet se këto mangësi kishin ndodhur për shkak se zyrtari i avanceve nuk i kishte deponuar mjetet me kohë në llogarinë bankare, si dhe në disa raste, kishte vonesa në arsyetimin e faturave nga shfrytëzuesit e avancit. 

Sipas Procedurës për regjistrimin e avanceve për para të imët dhe avancave për udhëtime zyrtare, procedimi i avanceve për udhëtim zyrtar, përcakton se përfituesi i avancit për udhëtim zyrtar obligohet që të bëjë arsyetimin e avancit, jo më larg se 2 javë nga kthimi i udhëtimit zyrtar. 

Tek zyrtari i caktuar për mbajtjen e avanceve dorëzohet i tërë dokumentacioni/faturat si dhe mjetet tepricë nëse ka.  

“Ministri, të siguroj se janë vendosur kontrolle efektive tek menaxhimi i avanceve për udhëtime zyrtare, në mënyrë që zyrtarët të jenë përgjegjës për arsyetimin e mjeteve me kohë, dhe kthimi i mjeteve të pashpenzuara në llogari të bëhet brenda afatit ligjor”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është ministri e sapoformuar dhe ky është auditimi i parë që i është bërë nga ZKA. Në raportin e auditimit për vitin 2018, kjo ministri ka marrë 14 rekomandime, duke filluar nga pasqyrat financiare, subvencionet, investimet kapitale deri te planifikimi dhe realizimi i buxhetit.