Autoriteti Kosovar i Konkurrencës heton ATK-në

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka njoftuar se është duke e hetuar Administratën Tatimore të Kosovës, për mos zbatim të Udhëzimit Administrativ për Shfrytëzimin e Paisjeve Elektronike dhe Sistemeve Fiskale.

Sipas njoftimit të Autoritetit të Konkurrencës,  dyshohet që ATK-ja qëllimisht nuk e ka zbatuar këtë Udhëzim, duke ua pamundësuar disa kompanive të instalojnë paijsje të reja fiskale në tregun e punës.

“Dyshimet fillestare janë se me kufizimin e ofrimit të shërbimeve të kompanive të licencuara në tregun përkatës, të pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, biznesit i privohet e drejta e zgjedhjes për marrjen e shërbimeve tek operatorët ekonomik të licencuar. Dhe që ATK me këto veprime mund të shpie tek format e keqpërdorimit të pozitës dominuese, marrëveshjeve të ndaluara apo praktikave të bashkërenduara”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Tutje në njoftim, Autoriteti i Konkurrencës thotë se ka vërejtur efektet e pozitës oligopolistike (dominuese), pasi që nuk ka presion të jashtëm mbi operatorët ekzistues që aferojnë së bashku në tregun përkatës.

“Gjithashtu Dyshimet fillestare janë se transparenca në këtë treg është e ulët duke e dobësuar presionin konkurrues nga ana e kërkesës nisur nga gjendja aktuale e tregut e cila shpie në përforcimin e 2 ose 3 kompanive ekzistuese të cilat kanë fuqi të madhe në tregun përkatës. Gjë që mund të ngulfatet konkurrenca, eliminohen, largohen, dekurajohen kompanitë tjera për shkak të këtyre barrierave”, thuhet tutje në njoftim.

Autoriteti i Konkurrencës gjithashtu thotë se tregu është i karakterizuar me barriera administrative për operatorët e tjerë të licencuar, ndërsa njofton se pasi që të mbledhen të gjitha faktet dhe argumentet, në ditët në vijim do të dalin me një konkludim përfundimtar.