Foto: REL/Shutterstock

Autoriteti i Konkurrencës nis hetime ndaj kompanive ofertuese për citostatikë

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka filluar hetime ndaj tre kompanive që dyshohen se kanë bërë marrëveshje të fshehtë për të ofertuar me çmim jo-real barna për listën esenciale që Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar përmes tenderit publik.

Sipas njoftimit ekzistojnë dyshimet për kurdisje të ofertave në tenderët publik (BIDRIGGING) si dhe praktika të bashkërenduara të ndërmarrjeve në tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë “Furnizim me Citostatik nga Lista Esenciale e barnave për produktin Imatinib Mesylate 400mg:

Procedura hetimore ka filluar ndaj ndërmarrjeve: REDONI H M, “EXCLUSIVE CORPORATION” dhe “EXCLUSIVE”.

KALLXO.com merr vesh prej burimeve brenda AKK-se  për vitin 2016  dallimi i cmimit te deklaruar në dogana për qëllime tatimore dhe çmimit te shitjes së tyre tek MSH ne vitin 2016 ishte 277% më shumë, ndërsa në vitin 2017 dallimi ishte 448%

AKK shpjegon se Ministria e Shëndetësisë ndër vite sipas nevojave dhe kërkesave ka shpallur tender me procedurë të hapur për furnizim me barna nga Lista Esenciale, në të cilët tender ka qenë i përcaktuar në Llote të ndryshme bari IMAKREBIN – Imatinib Mesylate 400mg. Ky bari shpërndahet falas nga barnatorja qendrore e SHSKUK-së dhe përdoret nga pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda kanceroze dhe leukemisë. Kërkesat ndër vite (nga 2015 deri në vitin 2017) të MSH-së sipas evidencës, të siguruara nga MSH, SHSKUK, Dogana e Kosovës, duket se janë të ndryshme.

Po ashtu edhe çmimet e importuara për këtë bari janë të ndryshme, nga prodhues e vende të ndryshme. Sipas evidencës Furnizimi me këtë lloj bari ka filluar me kontratën publike kornizë të MSH-së në vitin 2012 dhe ka vazhduar deri më tetor 2017.

Nëse bëhet krahasimin e çmimeve të importit/shitje me pakicë dhe çmimeve të kontraktuara në tenderët publik vërehet se ekziston dyshimi se kompanitë kanë ofruar çmim jo real të shitjes, krahasuar me çmimet doganore të importuara.

Dyshimet e AKK-së janë mbi atë se ndërmarrjet kanë arritur Marrëveshje të ndaluar ndërmjet operatorëve ekonomik ose janë koordinuar për t’i bashkërenduar aktivitetet e tyre të cilët në mënyrë të fshehtë bien dakord për rritjen e çmimeve për blerësit në këtë rast ‘’autoritetet kontraktuese’’ të cilët kanë pasur nevojë të sigurojnë produktet nëpërmjet procedurave të prokurimit publik për Listën Esenciale të barnave.

 

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’