Ilustrim

Autoriteti i Konkurrencës lejon Ministrinë e Shëndetësisë të përcaktojë çmimet e barnave

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë të ditur se kanë vendosur që ta lejojnë Ministrinë e Shëndetësisë që ta bëjë përcaktimin çmimeve të barnave në nivel të vendit.

Autoriteti i Konkurrencës ishte kontaktuar nga ana e Ministrisë se Shëndetësisë për t’u njoftuar, mbi Draft Udhëzimin Administrativ për Rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale për herë të parë në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, deri te ky vendim ka ardhur pas marrjes se evidencave praktike nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, rreth përcaktimit të çmimit të barnave në nivel të shitjes me shumicë dhe pakicë.

“Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës mbështet draftin e Udhëzimit Administrativ për përcaktimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale i cili synon një përmirësim të dukshëm në krahasim me “status quo-n” ekzistuese në këtë sektor. Udhëzimi Administrativ për rregullimin e çmimeve për produkte dhe pajisje medicinale do të bëj përcaktimin e tavaneve, unifikimin, si dhe rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale.”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, konsideron se fiksimi i çmimeve është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, nëse aplikohet nga ndërmarrjet ose nga qeveria përmes legjislacionit.

Në njoftim është thënë se përjashtim nga zbatimi i rregullave të konkurrencës, i jepet shërbimeve të interesit publik.

“Rregullimi në sektorin farmaceutik përmes Udhëzimit Administrativ mund të ndikoj në konkurrencën që zhvillohet në treg. Në parim, dispozitat përkatëse mund të justifikohen nga këndvështrimi i qëllimeve të mbrojtjes shëndetësore (p.sh. sigurimi i një furnizimi të sigurt dhe me cilësi të lartë të produkteve medicinale në të gjithë Republikën e Kosovës).”, është shkruar më tej.

Megjithatë sipas tyre, ky Udhëzim Administrativ ka nevojë për disa përmirësime duke i marrë parasysh praktikat më të mira Evropiane, andaj Autoriteti Kosovar i Konkurrencës i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë që t’i merr në konsideratë këto praktika.

Ato duhet të jenë të bazuara në praktikat më të mira Evropiane, siç është vendosja e çmimeve fikse në produktet medicinale të cilat nuk kanë nevojë për përshkrim të mjekut.

“Ministria e Shëndetësisë duhet të aplikoj mekanizmat “Claw-Back”, atëherë kur çmimet e medikamenteve të rimbursueshme ulën. Nëse ky udhëzim administrativ nuk e arrin qëllimin e synuar në sektorin farmaceutik, dhe çrregullon konkurrencën në një masë të konsiderueshme, atëherë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ex-post do të bëjë një hetim të tregut përkatës për të vlerësuar nëse fiksimi i çmimit ka pasur impakt në strukturën e tregut, aktivitetet e ndërmarrjeve dhe konsumatorëve në treg”, është thënë në fund të njoftimit.