Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon Odës së Avokatëve të shfuqizojë vendimin e para një viti

Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) i ka rekomanduar Odës së Avokatëve që të shfuqizojë vendimin e lëshuar nga Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës, me të cilin kufizohet ofrimi i shërbimeve të avokatëve të regjionit në komunën e Mitrovicës.

“Oda e Avokatëve duhet, që të ofrojë kushte të barabarta për transaksione të njëjta me operatorët tjerë ekonomikë, duke i vendosur të njëjtët në gjendje të favorshme konkurruese përmes mekanizmave ligjorë, në respektim të ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Ky vendim i Odës së Avokatëve të Kosovës ishte lëshuar me datën 10 prill të vitit 2018.

AKK e ka lëshuar këtë rekomandim sepse vlerëson se në këtë rast kufizohet konkurrenca ndërmjet avokatëve si (ofrues të shërbimeve) në Republikën e Kosovës, ndërsa klientëve/konsumatorëve u imponohet zgjedhja e të njëjtëve brenda një zone të caktuar gjeografike.

Sipas tyre nga pikëpamja e konkurrencës, ligjet dhe rregulloret që kufizojnë numrin e operatorëve ekonomik në tregun relevant dhe kufizimin e marrjes së shërbimeve, nuk janë në përputhje me rregullat e konkurrencës.

“Gjithashtu, Ligji Nr. 04/L-226 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/l-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili përcakton qartë definicionin e ndërmarrjes, e rrjedhimisht  edhe pozicionin e shtetit në raport me këtë definicion, citojmë: Ndërmarrje – është çdo aktivitet biznesor pavarësisht mënyrës së organizimit ose formës së menaxhimit, ndërmarrësi publike e themeluar për kryerjen e aktiviteteve për interes publik si dhe çdo person tjetër fizik ose juridik apo autoritet shtetëror që kryen aktivitet ekonomik pavarësisht se a konsiderohet apo jo subjekt afarist”, përfundon njoftimi i AKK-së.