Ilustrim

Autori i vrasjes së gruas dhe resë do të paraqitej në Gjykatë muajin e ardhshëm

H.K, 61 vjeçari , autor i dy vrasjeve që vrau dhe veten, ishte i akuzuar për sulm dhe armbajtje pa leje.

Për këtë çështje, ai do të dilte para gjykatës në muajin maj.

Ditën e hënë, H.K vrau gruan e tij H.K, 60 vjeçare së bashku me gruan e djalit të tij, R.K 28 vjeçare dhe në fund edhe veten.

Gjatë ditës së martë, KALLXO.com raportoi se ndaj familjarëve të personit H.K, në gusht të 2017-ës ishte lëshuar një urdhër mbrojtje që ndalonte personin H.K ti afrohej gruas dhe fëmijëve të tij në një distancë prej 50 metrave.

E sipas informatave shtesë të pranuara sot nga Gjykata e Prishtinës, kemi kuptuar që H.K po akuzohej nga Prokuroria për dy vepra të ndryshme penale.

“Ju njoftojmë se gjyqtari i çështjes me datë 07.12.2018 e ka pranuar lëndën me numër P.nr.5849/2017 kundër të pandehurit H.K për veprat penale Sulmi nga neni 187 par.3 dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Seanca fillestare ka qenë e caktuar të mbahet me datë 15 maj 2019”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Gjykata.

E sipas Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, deri te ngjarja që të hënën tronditi gjithë Kosovën, erdhi si shkak i problemeve familjare.

“Si duket, deri te vrasja ka ardhur nga problemet e tyre familjare. Mbetet t’i vërtetojmë, por mendojmë që edhe më herët kanë pasur probleme në familje, burri dhe gruaja”, kishte deklaruar të hënën për KALLXO.com Kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka.