Nga gjykimi i automekanikut të Policisë, Burim Gashi. Foto: Kallxo.com

Automekaniku i Policisë në gjyq, mungon Prokurori

Gjykimi i automekanikut të Policisë, Burim Gashi, i cili akuzohet se përvetësoi pjesë të veturës të dedikuara për veturën e prishur zyrtare

Në mungesë të prokurorit të rastit, është shtyrë seanca ku automekaniku i Policisë së Kosovës po akuzohet për përvetësimin e pjesëve të një modeli të makinës në shumë prej afër 10.500 euro.

Në sallë të gjykatës nuk ishte prezent prokurori i çështjes, Feti Tunuzliu, për çka edhe nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, tha se prokurori Tunuzliu ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, por nuk e kishte arsyetuar mungesën.

Ai tha se në ndërkohë ka pranuar shkresa të lëndës nga prokurori i rastit.

Prezent në sallë të gjykatës ishin katër dëshmitarë, të cilët pritet të dëshmojnë në seancën e radhës e shtyrë për kohë të pacaktuar.

“Shtyhet për kohë të pacaktuar për arsye se ky trup gjykues muajin korrik e ka të plotësuar, ndërsa, gjatë muajit gusht gjykatësit kryesisht gjenden në pushim vjetor. Pas harmonizimit të agjendës do të caktohet data”, komunikoi gjykatësi Ibrahimi.

Kjo çështje është kthyer në rigjykim, me ç’ rast edhe deri më sot është mbajtur një seancë më 18 prill të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Burim Gashi në cilësinë e automekanikut në Policinë e Kosovës, me 22  shtator 2010, me qëllim që vetës t’i sjellë dobi pasurore, kishte përvetësuar disa pjesë të reja të dedikuara për makinën zyrtare të policisë të markës “Hunday – Santa Fe” që ka qenë në defekt.

Prokuroria pretendon se pjesët që ishin planifikuar të vendosen në këtë makinë, nuk ishin montuar fare, por të njëjtat ishin tërhequr nga punëtoria mekanike e policisë dhe i ka përvetësuar për vete.

Aktakuza thotë se këto pjesë kanë qenë një korpë, një llamellë, një drugllager, një motor dhe disa pjesë tjera, ku vlera e këtyre mjeteve pretendohet të jetë 10.494 euro.