Foto: Sebastian Kurz/Twitter

Austria zhvendos fokusin e BE-së nga Ballkani te emigracioni

Motoja e Vjenës gjatë gjashtë mujorit të saj në krye të BE-së do të jetë “Një Europë që mbron” – me “mbrojtjen” e kontinentit nga emigracioni në krye të agjendës.

Ndërsa Austria mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian për gjashtë muaj të shtunën e kaluar, duke e marrë këtë detyrë nga Bullgaria, diplomatët dhe eurodeputetët e saj thanë për BIRN se forcimi i kontrolleve të kufirit të jashtëm dhe lufta kundër emigracionit, së bashku me reformën e brendshme të BE-së, do të ishin në krye të axhendës së Vjenës.

“Ne duam ta përdorim presidencën për të ndërtuar ura brenda Bashkimit Europian, për të ulur tensionet brenda Europës dhe për t’u siguruar që Bashkimi Europian është i fortë,” tha kancelari austriak Sebastian Kurz në një ceremoni të shtunën në Schladming në Austrinë qendrore.

Presidenca e BE-së e Bullgarisë u përqendrua në organizimin e samitit BE – Ballkani Perëndimor në maj dhe nxitjen për integrimin e mëtejshëm të gjashtë vendeve jo të BE-së në rajon – Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Pasi një vendim përfundimtar për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë u shty deri në qershor 2019, Vjena thotë se do të vazhdojë të bëjë presion për progres në pranimin në rajonin e Ballkanit.

Megjithatë, ekspertët nuk presin që Austria ta nxisë shumë çështjen e Ballkanit Perëndimor.

Duke nënkuptuar ndryshim të temës mbi të cilën do të vihet theksi, kancelari austriak tha të shtunën se presidenca e Austrisë do të kulmonte në një samit të BE-Afrikë duke u fokusuar te emigracioni.

“Shtetet e BE-së duhet të përdorin marrëdhëniet e tyre të mira me vendet afrikane dhe të shqyrtojnë mundësinë e qendrave të pritjes në vendet e treta, ku emigrantët në gjendje të vështirë mund të shpëtohen,” tha Kurz.

Premtohet mbështetje për integrimin e Ballkanit Perëndimor

Klemens Fischer, ambasadori i plotfuqishëm i Austrisë dhe kreu i përfaqësimit të saj në BE, tha për BIRN se rritja e ritmit të vazhdimit të negociatave të pranimit me Serbinë dhe Malin e Zi dhe promovimi i masave të mëtejshme të integrimit me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të mbeten gjithsesi përparësi.

“Rivendosja e marrëdhënieve të BE-së dhe vendeve të Europës Juglindore qëndron në thelbin e përpjekjeve të Austrisë,” tha ai.

“Ne do të ndërtojmë progresin e rëndësishëm të arritur gjatë Presidencës Bullgare të BE-së dhe do të mbështesim të gjitha përpjekjet për një integrim të vazhdueshëm të rajonit në strukturat europiane,” tha Fischer.

Por Fischer përsëriti gjithashtu mantrën e BE-së se një perspektivë konkrete e BE-së për vendet e rajonit duhet të “bazohet në kritere të qarta që kanë lidhje me punën e tyre individuale dhe punën për arritjen e përparimit të matshëm në fusha specifike të zhvillimit të ardhshëm”.

Duke iu referuar ndarjeve të tyre aktuale, ai shtoi: “Së pari dhe më kryesorja, çdo përparim në këto mosmarrëveshje do të varet nga vullneti politik i palëve të përfshira për të gjetur një zgjidhje të tillë të përbashkët.”

Samiti BE – Ballkani Perëndimor në maj përfundoi me një deklaratë duke premtuar mbështetje europiane për infrastrukturën e rajonit dhe shumë bisedime për “lidhjen”, por fjalë kyçe si “integrimi” dhe “zgjerimi” mungonin dukshëm.

Emigracioni dhe “mbrojtja” tani kanë përparësi

Si Fischer ashtu edhe tre eurodeputetë austriakë folën pak për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe shumë më tepër mbi “mbrojtjen” në samitin e javës së fundit të Asociacionit të Gazetarëve Europianë dhe Parlamentarëve të BE-së në Bruksel.

Atje, kur Fischer foli për moton e presidencës së BE të Austrisë, “Një Europë që mbron”, ai foli kryesisht në kontekstin e frenimit të emigracionit të paligjshëm në BE dhe forcimin e kufijve të jashtëm të saj për të mos lejuar shpërbërjen e saj.

“Qytetarët duhet të ndiejnë dhe të shohin se kufijtë e Europës nuk janë vetëm vija në një hartë, por që ata krijojnë fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë,” tha Fischer, duke paralajmëruar se kombet e BE-së duhet të rivendosin zonën e lëvizjes së lirë Shengen ose “ta harrojnë tregun e brendshëm”.

Ai tha se agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufirit, Frontex, kishte nevojë të përforcohej, “por jo me njëqind policë. Ne kemi nevojë për disa mijëra më shumë.”

Ai tha gjithashtu tha se Rregullorja polemike e Dublinit për të kërkuar azil brenda BE-së duhej rinegociuar.

BE-ja gjithashtu duhet “të diskutojë çështjen e rivendosjes së emigrantëve dhe gjithashtu të mendojë si t’i mbrojmë kufijtë tanë. Nuk dua të dëgjoj fjalën përkrahim, por mbrojmë,” tha ai.

“Vendet e rajonit të Ballkanit janë pjesë e këtyre përpjekjeve, pasi ata janë pjesë integrale e Europës,” shtoi ai në intervistën e tij me BIRN.

Pikëpamjet e Fischer rezonuan me ato të George Mayer, eurodeputeti austriak nga grupi nacionalist i Parlamentit Europian, Europa e Kombeve dhe Lirisë, ENF.

“Për momentin, në Austri po ndodhin gjëra që së shpejti do të shihen në pjesën tjetër të Bashkimit. Ata nuk janë ndryshe që të mos ndjekin ligjin e Austrisë  dhe BE-së,” tha Mayer.

“Nëse njerëzit që aplikojnë për azil nuk arrijnë ta bëjnë dot këta, ata duhet të kthehen pas,” tha ai në panel më 27 qershor.

Mayer gjithashtu nënvizoi nevojën për të forcuar Frontex-in, pasi mbrojtja e kufijve nuk është një çështje që vendet individuale të BE-së mund ta përballojnë vetë.

Të shtunën, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk shprehu miratimin e tij për sloganin e Austrisë për presidencën gjashtëmujore.

“Për mendimin tim, s’mund të kishit zgjedhur një moto më të mirë. Nevoja për siguri, e vjetër sa vetë njerëzimi, u manifestua me gjithë forcën e saj gjatë krizës së migracionit,” tha Tusk.

“Njerëzit e Europës presin që ne – dhe e kanë bërë për një kohë të gjatë – të tregojmë vendosmëri në veprimet tona për të rivendosur ndjenjën e tyre të sigurisë dhe rendit,” shtoi ai.

Kritikët kundërshtojnë fokusin te emigracioni

Austria, e cila është qeverisur që nga viti i kaluar nga një koalicion i partisë së qendrës së djathtë Partia Popullore e Austrisë, OVP, dhe Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë, FPO, ka ashpërsuar qëndrimin e saj mbi emigracionin e paligjshëm dhe kontrollin e kufirit.

Më 26 qershor, pranë kufirit me Slloveninë në Styria, 200 ushtarë dhe 500 policë austriakë organizuan një stërvitje për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në vendin ku mijëra azilkërkues kaluan kufirin në vitin 2015, në kulmin e krizës europiane të refugjatëve.

Megjithatë, disa politikanë austriakë janë tepër kritikë ndaj theksit të qeverisë së re. Evelyn Regner, një socialdemokrate dhe një eurodeputete për Aleancën Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, kritikon retorikën e koalicionit qeveritar mbi “mbrojtjen”.

“Skena kufitare e Styrias krijon në mënyrë artificiale një situatë që nuk ekziston, duke e vendosur fokusin në një çështje që nuk ekziston – ndërkohë që nuk tregon problemet e vërteta në lidhje me austriakët dhe europianët,” u tha ajo gazetarëve në Parlamentin Europian të mërkurën e kaluar.

“Europa që mbron’ duket këndshëm, por duket se është më pak sesa një shfaqje PR. Duhet të jemi më të thellë. Në presidencën e saj, Austria duhet të veprojë si dikush që nuk i hedh benzinë zjarrit, por që përpiqet të gjejë zgjidhje,” shtoi ajo.

Regner tha se forma të tjera të “mbrojtjes” duhet të jenë fokusi i vërtetë i presidencës austriake, duke përfshirë mbrojtjen sociale dhe mbrojtjen e vendeve kundër evazionit fiskal.