Austria me ambasador të ri në Kosovë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme ka pranuar kredencialet e ambasadorit Christoph Weidinger që do të jetë përfaqësuesi i ri i Republikës së Austrisë në Prishtinë.

Në komunikatën e lëshuar nga zyra e presidentit, thuhet presidenti Thaçi i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Weidinger si dhe suksese në punën e tij.

“Kemi ndërtuar traditë të marrëdhënieve të mira bilaterale dhe bashkëpunimit në mekanizmat ndërkombëtarë”, citohet të ketë thënë presidenti.

Sipas Thaçit Austria ka qenë një ndër vendet e para mike të Kosovës.

“Austria ka qenë ndër vendet e para që ka kuptuar mirë zhvillimet në Kosovë e që i ka treguar botës për Kosovën”, ka shtuar presidenti Thaçi.

E në anën tjetër Ambasadori Weidinger është shprehur se do të vazhdojë të punojë për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve në mes të Austrisë dhe Kosovës.

Ndërsa Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova është shtet i potencialeve të mëdha dhe shtoi se është i kënaqur që investitorë austriakë tanimë kanë investuar në Kosovë.