Dragan Vasiljkoviç, i njohur ndryshe si Kapiten Dragani, në gjykatë në Split. Foto: BETAPHOTO/HINA/Mario STRMOTIC/MO.

Australia Kërkon t’i Anulojë Pasaportën Kapiten Draganit

Autoritetet australiane po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të përdorur Aktin e Luftëtarëve të Huaj për të anuluar pasaportën e ish-komandantit paraushtarak serb Dragan Vasiljkoviq, i njohur ndryshe si Kapiten Dragani, njoftoi media të enjten.

Gazeta The Australian njoftoi se nëpunësit e lartë publik po shqyrtojnë nëse legjislacioni – fillimisht i projektuar për të trajtuar radikalët islamikë që kthehen në Australi pas luftimeve në Lindjen e Mesme – mund të përdoret në rastin e Vasiljkoviqit dhe nëse Ministria e Emigracionit mund të anulojë pasaportën e tij.

Gjykata e qarkut në qytetin bregdetar të Splitit e dënoi Vasiljkoviqin me 15 vjet burg të martën, duke e shpallur atë fajtor për krime lufte kundër civilëve kroatë dhe të burgosurve të luftës në 1991.

Për shkak se ai ka kaluar pothuajse 11 vjet në njësinë e ekstradimit në Australi dhe në paraburgim në Kroaci, avokatët e tij kanë njoftuar se po aplikojnë për lirimin e parakohshëm të tij, si edhe apelojnë kundër vendimit të Gjykatës së Lartë.

Sipas ligjeve kroate, të gjithë të dënuarit mund të kërkojnë të lirohen pasi kryejnë dy të tretat e dënimit të tyre, që do të thotë se ai mund të lirohet së shpejti.

Vasiljkoviq, i cili ka pasaportë serbe dhe australiane, raportohet se dëshiron të rikthehet në Australi pas lirimit të tij, por zyrtarët në vend duan ta parandalojnë këtë.

Ai u deportua në Kroaci nga Australia në korrik 2015, ku kishte vite që jetonte me emrin Daniel Snedden dhe punonte si instruktor golfi.

Ai ishte shpërngulur në Australi kur ishte adoleshent, por u kthye në Jugosllavi para fillimit të konflikteve të viteve 1990 dhe më pas u dërgua nga autoritetet në Beograd të ishte komandant i një qendre trajnimi për një njësi paraushtarake speciale serbe në Kroaci në vitin 1991.

Ai mohoi kryerjen e krimeve të luftës dhe deklaroi se nuk ishte fajtor në gjyq.

Gjatë deklaratës së tij mbyllëse në gjykatë, ai e dënoi gjyqin si të motivuar politikisht dhe “një proces fashist shtypës”.