Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Auditori: Zyra e kryeministrit rrezikon të humb ndihmën e ekspertëve të SIDA-s

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës për projektin “Zhvillimi i Kapaciteteve në Procesin e Bërjes së Politikave dhe Koordinimit në Kosovë”, i cili është financuar nga SIDA dhe zbatuar nga Zyra e Kryeministrit (ZKM).

ZKA njofton se auditimi ka nxjerrë përfundimin se projekti në përgjithësi ka arritur rezultate të rëndësishme duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve për zhvillimin e politikave brenda Qeverisë, “duke futur mekanizma për kryerjen e analizave të politikave, analizën e ndikimit dhe mekanizmat mbështetës për përfshirjen efektive të shoqërisë civile”.

“Pavarësisht kësaj, ekziston rreziku që pas përfundimit të Projektit, Qeveria nuk do të ketë në dispozicion kapacitete të mjaftueshme për të kryer analizat e nevojshme të ndikimit ekonomik, planifikimit strategjik dhe komponenteve të tjera të procesit për zhvillimin e politikave dhe legjislacionit”, thuhet në komunikatën e ZKA-së.

Raporti gjithashtu thekson se mungesa e një procesi të rregullt të komunikimit interaktiv nga ekspertët afatgjatë të Projektit me të gjithë përfituesit e synuar – ministritë e linjës dhe departamentet e ZKM-së mund të krijoj vështirësi në identifikimin e qartë të nevojave të tyre zhvillimore dhe plotësimin e këtyre mangësive.

“Kjo mund të reflektojë me humbjen e mundësisë për përfitim nga ndihma e ekspertëve të SIDA-së”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm, lidhur me këtë auditim ka deklaruar se ka fusha ku Projekti ka kontribuar fuqishëm në zhvillimin e qëndrueshëm në procesin e hartimit të politikave duke hartuar udhëzime dhe doracakë praktikë, që janë vlerësuar pozitivisht nga përfituesit e projektit.

“Megjithatë, përkundër progresit të bërë nga Projekti në procesin e zhvillimit të politikave, disa mangësi të identifikuara mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e rezultateve të Projektit dhe në këtë drejtim efektivitetin e procesit të zhvillimit të politikave”, ka thënë Osmani.

Bazuar në gjetjet e raportit, autoritetet përgjegjëse, respektivisht Zyra e Kryeministrit dhe Projekti SIDA, të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të përmirësuar metodologjitë e përdorura për ngritjen e kapaciteteve, rrisin komunikimin me përfituesit e synuar dhe të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme arritjen e rezultateve. Përmes kësaj procesi do të ketë ndikim më të madh në reformat e Administratës Publike si një nga elementët e rëndësishëm që korrespondon me aspiratën e vendit drejt integrimit në BE.

Gjetjet kryesore të raportit

Një nga gjetjet e raportit të ZKA-së  për projektin “Zhvillimi i Kapaciteteve në Procesin e Bërjes së Politikave dhe Koordinimit në Kosovë”, është planifikimi i projektit dhe vonesat në funksionalizimin e kontratës.

“Projekti tashmë i ishte nënshtruar një procesi të planifikimit paraprak substancial, bazuar në një numër të vlerësimeve dhe auditimeve të kryera dhe të financuara nga Banka Botërore, KPMG, Sigma dhe të tjerë. Këto raporte kanë identifikuar boshllëqe në proceset e qeverisë lidhur me proceset e bërjes së politikave dhe legjislacionit, ndaj Projekti është hartuar në aso mënyre që të adresojë këto boshllëqe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke trajtuar procese të ndryshme dhe duke marrë në konsideratë një gamë të gjerë të palëve të interesit nga të gjitha anët, duke i kontaktuar dhe duke i konsultuar gjatë gjithë procesit të planifikimit dhe duke i përfshirë në planin e aktivitetit të Projektit”, thuhet në raport.

Megjithatë, sipas raportit, vonesat fillestare në analizën e procesit për zhvillimin e Koncept Dokumenteve mund të përbëjnë një rrezik për implementimit efektiv të Projektit.

“Ka pasur vonesa në fillim të implementimit të Projektit, i cili ka ndikuar në afatet kohore të aktiviteteve të Projektit gjatë dy viteve të para, dhe mund të ketë ndikim edhe në vetë funksionalitetin e dizajnit të implementimit të Projektit dhe efektivitetin e tij”, thuhet në raport.

Raporti ka shfaqur edhe rreziqet e qëndrueshmërisë.

Sipas intervistave me stafin e Projektit, mungojnë ekspertët në fushën e ekonometrisë, shkencës për hulumtime sociale dhe të ngjashme, të cilat mund t’i ofrojnë mbështetje qeverisë me analizën e duhur kur zhvillohen politikat.

“Ekspertët e SIDA-s për kostimin dhe analizën e ndikimit ekonomik, komunikimin me publikun dhe ekspertin për planifikimin strategjik kanë identifikuar se një numër i kufizuar metodologjish janë implementuar në drejtim të zhvillimit të kapaciteteve dhe ngritjes së kapaciteteve të tilla, si: Punëtoritë, Trajnimi i vazhdueshëm profesional dhe metodologji të tjera me zyrtarë të ministrisë së linjës”, theksohet në raport.

Sipas ZKA-së, ka shqetësime se procesi mund të mos vazhdojë kur Projekti të përfundojë mandatin e tij në vitin 2020, duke pasur parasysh se kapacitetet vendore nuk janë zhvilluar në atë nivel që të vazhdojnë në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, sipas auditorit, ka fusha ku Projekti kontribuon fuqishëm në zhvillimin e qëndrueshëm.

Në raportin e Auditorit, thuhet se jo të gjitha dokumentet publike u janë nënshtruar procesit të konsultimit publik.

“Në bazë të raportit vjetor për vitin 2017 mbi Konsultimet Publike, procesi u ndoq nga 2104 pjesëmarrës, të cilët bënë 1119 komente përmes takimeve, grupeve të fokusit ose me shkrim. Gjysma e këtyre komenteve janë marrë plotësisht parasysh, një e gjashta është marrë pjesërisht parasysh, ndërsa pjesa e mbetur e tretë e komenteve nga këto konsultime publike konsiderohen se nuk janë marrë parasysh”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, bazuar në raportin vjetor për vitin 2017 mbi Konsultimet Publike, vlerësohet se gjysma e dokumenteve që kanë kaluar procesin e konsultimeve publike kanë përmbushur standardet minimale të parashikuara nga rregullorja dhe gjysma tjetër nuk i ka përmbushur standardet minimale të kërkuara.

“Gjatë vitit 2017, konsultimet publike u aplikuan përmes platformës online në 245 dokumente apo 90% prej tyre u konsultuan”, theksohet në raport.