Auditori: Raportet e Auditimit po mbajnë Qeverinë të përgjegjshme për shpenzimin e parasë publike

Me temën  “Mbikëqyrja Parlamentare e Financave Publike” është mbajtur sot konferenca rajonale e organizuar nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike në bashkëpunim me GIZ.

Sipas një komunikate për media të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në këtë konferencë u diskutua për rolin, funksionin dhe bashkëpunimin në mes të  Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike  dhe Komisionit për Buxhet dhe Financa, në mbikëqyrjen e financave publike.

Gjithashtu bëhet e ditur se një rëndësi e veçantë ju dha përdorimit të Raporteve të Auditimit, nga ana e këtyre komisioneve për të mbajtur Qeverinë të përgjegjshme për shpenzimin e parasë publike, si dhe mundësinë e përfitimit nga gjetjet e auditimit, në planifikim më të mirë të shpenzimeve publike.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka prezantuar, përvojën dhe praktikat e bashkëpunimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me Kuvendin, me ç ‘rast janë prezantuar rezultat konkrete nga ky bashkëpunim.

“Bashkëpunimi në mes të auditorëve dhe deputetëve ka shënuar progres, duke rritur kështu ndikimin e auditimit të jashtëm.  Së bashku me komisionet parlamentare jemi duke shikuar mundësitë e forcimit të mekanizmave me qëllim të rritjes së përqindjes të rekomandimeve të adresuara të cilat ndikojnë ne përmirësimin e shërbimeve dhe arrijnë vlerën për para, si dhe të rrisim besimin e Kuvendit në punën tonë”, citohet të ketë thënë Osmani.

Ndërkaq, tutje njoftimi bënë të ditur se, Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike,  dhe Lumir Abdixhiku, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa kanë vlerësuar lartë rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ata  kanë cilësuar punën e ZKA-së si profesionale dhe të besueshme, mirëpo u theksua se shqetësues mbetet fakti, për numrin e ulët të zbatimit të rekomandimeve.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues nga Komisionet parlamentare  për financa publike, përfaqësues nga Institucionet Supreme të Audimit, Bankës Botërore dhe shoqërisë civile, të vendeve të rajonit si Shqipëria, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Kroacia.