Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

Auditori, Ministria e Kulturës kryen kompensime të jashtëligjshme për stafin e saj

Zyra Kombëtare e Auditimi ka gjetur parregullsi në kompensimin e stafit të Ministrisë së Kulturës për angazhimet shtesë brenda orarit të punës, gjatë vitit 2018.

Sipas raportit të ZKA-së për pasqyrat financiare të MKRS-së për vitin 2018, kjo ministri në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e financave publike ka bërë kompensimin e stafit të saj gjatë angazhimit të punës shtesë.

ZKA, konstaton se pagesat për kompensimin e stafit për puntë shtesë brenda orarit të rregullt të punës janë në kundërshtim me legjislacionin duke rezultuar me pagesa të parregullta dhe njëkohësisht ndikon në dëmtim të buxhetit.

Në çështjen C5, të Raportit të auditimit për MKRS-në për 2018, ZKA kujton se, sipas nenit 80 të Ligjit Nr.03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, thuhet: nëse një punonjës, shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik ose organizatë buxhetore, sipas një akti të Qeverisë, kërkohet që të shërbejë në një komision, bord ose organ apo autoritet tjetër publik, ky punonjës, shërbyes civil ose zyrtar nuk ka të drejtë të pranojë, dhe nuk do të pranojë, kurrfarë kompensimi shtesë për këtë shërbim.

Pasi që, siç thuhet më tej në raport, shërbimi konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mban punonjësi, shërbyesi civil ose zyrtari i sipër cekur.

“MKRS-ja kishte anashkaluar kërkesat ligjore duke kompensuar stafin e angazhuar në komisione të ndryshme gjatë orarit të rregullt të punës. Vlera totale e këtyre kompensimeve ishte 35,200 € të cilat ishin paguar nga kategoria subvencione dhe transfere dhe ishin realizuar me aprovim të ZKA-së. Shkaku i këtyre kompensimeve sipas menaxhmentit të MKRS-së ishte motivimi i stafit, pasi që në mungesë të kompensimit stafi hezitojnë të angazhohen në komisione të tilla”, thuhen ndër të tjerash në raport.