Auditori i Përgjithshëm takohet me përfaqësuesit e organizatave buxhetore

Zyra Kombëtare e Auditimit ka zhvilluar takim informues me zyrtarët kryesorë financiarë të organizatave buxhetore të nivelit qendror dhe lokal. Me këtë rast janë prezantuar çështje dhe tema me rëndësi që kanë të bëjnë me auditimin dhe raportimin  e pasqyrave vjetore financiare për vitin 2018 nga Organizatat Buxhetore.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, tha se qëllimi i këtij takimi është informimi më i mirë dhe diskutimi i çështjeve me interes për Zyrën Kombëtare të Auditimit, Departamentin e Thesarit dhe Zyrtarët Kryesor Financiar si palë kryesore në këtë proces.

Ahmet Isufi, Drejtor i Thesarit ka tërhequr vëmendjen për afatet e përcaktuara për dorëzimin dhe mundësinë  e korrigjimit të pasqyrave financiare vjetore para se ato zyrtarisht të jenë finale.

Isufi, theksoi se në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare që i bëhen Kosovës, dokumenti i parë si më i besueshëm dhe që merret në konsideratë është raporti i Auditorit të Përgjithshëm.

“Prandaj, ju bëj thirrje që të angazhoheni në adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Auditori i Përgjithshëm, sepse çdo gjetje e prezantuar në raport në thelb ngrit çështje të rëndësishme dhe ka një proces për adresimin  e tyre”, tha ai.

Edhe ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Çerkin Morina ka prezantuar çështjet kryesore për të cilat zyrtarët Kryesor Financiar duhet të tregojnë kujdes gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare vjetore, gjithashtu i ka njoftuar edhe me kërkesat për këtë fazë të auditimit.

Takim i ndarë është mbajtur edhe me zyrtarët Kryesor Fonanciar të Ndërmarrjeve Publike që i nënshtrohen auditimit për vitin financiar 2018.