Auditori Gjen Përdorim të Makinave Private për Çështje Zyrtare

Raporti i auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2014 për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) sot doli para komisionit për mbikëqyrjen e financave publike.

Arban Abrashi ministër në këtë ministri,  foli për veprimet që ka ndërmarrë për adresimin e rekomandimeve të dala nga ky raport.

“ Pas pranimit të raportit të zyrës së auditorit të përgjithshëm lidhur me pasqyrat financiare në vitin 2014 kamë autorizuar sekretarin e përgjithshëm për të hartuar planin e veprimit për t’i implementuar rekomandimet e dhëna në raportin e e auditorit të përgjithshëm. Deri më tani kemi arritur të implementojmë shumicën e  rekomandimeve të auditorit të përgjithshëm,” tha ai.

Abrashi më tej foli për ekzekutimin e buxhetit duke e vlerësuar të kënaqshëm, ngecjet në investime kapitale, adresimin në fushën e prokurimin për zotimin e mjeteve, pagesën e komisioneve mjekësore duke e përmendur udhëzimin administrativ që është në diskutim publik, mosmbylljen e avancave në mungesë të kontaktit me ish-zyrtarët e ministrisë dhe çështje tjera.

Anëtari i komisionit Hajdar Beqa tha se është njëra ndër ministritë që ka më së shumti të gjetura duke përmendur edhe shumë shqetësime të cilat kane qenë edhe të pakuptimta te menaxhimi jo i duhur i avancave dhe përdorimi i veturave private për punë zyrtare.

“Duhet ta shikoj një formë ministri që në të ardhmen të mos ketë mundësi që veturat private të përdoren për çështje private se ka mundësi të keqpërdorimit të parasë publike,” tha Beqa.

Adem Grabovci tha se në mospërmbushjen e obligimeve ndikojnë edhe faktorë të tjerë

“Në shumë raste nuk janë shkaktarë ministria po janë disa faktorë tjerë që kanë ndikuar në mospërmbushjen e disa obligimeve që kanë shkaktuar disa lëshime,” tha ai.

Synavere Rysha anëtare e komisionit përgëzoi ministrin për adresimin e e gjetjeve të auditorit.

“Më gëzon fakti sikur kolegët e tjerë që ministri i ka adresuar, bashkë me stafin i ka adresuar mjaft mirë të gjitha problemet apo të gjitha të gjeturat që auditori i ka konstatuar gjatë punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale,” tha ajo

Shqyrtimi i Raporti të Auditorit para komisionit ishte për vitin 2014, vit ky në të cilin nuk ishte ministër  Arban Abrashi.