Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Auditori: 65 të punësuar në Telekomin e Kosovës përtej afateve ligjore

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Telekomi i Kosovës ka angazhuar 65 të punësuar për punë dhe detyra specifike duke mos respektuar afatin e përcaktuar me ligj.

Në Ligjin e punës thuhet se “Kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një (1) viti”.

Auditori ka gjetur se në 65 raste Telekomi kishte angazhuar punonjës duke mos respektuar afatin maksimal të punësimit sipas kësaj mënyre të kontraktimit.

Tejkalimin e afatit të angazhimit Telekomi i Kosovës e ka arsyetuar se ka ndodhur për shkak të nevojave të departamenteve kërkuese.

Sipas Auditorit, Angazhimi i punëtorëve më gjatë se afati maksimal i lejuar rrezikon angazhimin e personave jo kompetentë për pozita përkatëse dhe rrit kostot e ndërmarrjes si dhe mund të rezultojë në mos efikasitetin operacional.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë që përmes akteve të brendshme të ndërmarrjes të fuqizojë kontrollet e brendshme, të cilat do të pamundësojnë lidhjen e kontratave për punë dhe detyra specifike më gjatë se afati maksimal i lejuar me ligj”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Në raportin e auditimit thuhet se në Telekomin e Kosovës janë angazhuar 178 persona pa konkurs publik gjatë vitit 2018.