ATK-ja për 19 vjet ka mbledhur më shumë 5 miliardë euro

Drejtori i përgjithshmen i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Sakip Imeri ka thënë se për 19 vjet ekzistencë, ATK-ja ka mbledhur më shumë se 5 miliardë euro.

Ai këtë e tha gjatë ceremonisë për shënimin e 19 vjetorit të themelimit të ATK-së.

“Gjatë vitit 2018, Administrata Tatimore e Kosovës, ka realizuar 102% të të hyrave të planifikuara. Nga 446 milionë, janë mbledhur 457 milionë euro tatime, ndërsa në raport me vitin 2017 për 42.5 milionë  euro më shumë. Gjithashtu janë arkëtu mbi 163 milionë euro nga kontributet pensionale. Ndërsa për 19 vjet janë mbledhur mbi 5 miliardë euro. Aktualisht janë 812 zyrtarë të angazhuar në tërë vendin, të strukturave dhe nacionaliteteve të ndryshme, organizuar në nivel rajonal, në 7 qytete kryesore të Kosovës. Si dhe dy zyra të veçanta, një Shtërpcë dhe një në Graçanicë”, tha Imeri gjatë fjalimit të tij.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se ekonomia e vendit është e orientuar nga integrimet euroatlantike dhe i takon familjes evropiane.

“Nëse ne po bëhemi gati me hy për pak në dekadën e tretë të një sistemi tatimor, të një institucioni siç është rasti këtu të ATK-së, atëherë duhet të kemi parametra të ri në luftim të informalitetit. E nëse na në këtë 10 vjetëshin e tretë jemi optimistë që t’i takojmë familjes evropiane, atëherë duhet ta kemi një trend në rritje të luftimit të informalitetit. Dhe kjo bëhet për aftësim të vetvetes që sa më shumë që i afrohemi BE-së, t’i afrohemi edhe në parametra të ekonomisë jo formale. Ne në Kosovë operojmë me euro edhe ekonominë tonë e kemi orientuar kah integrimet euroatlantike, ekonomitë euroatlantike dhe ju lus krahas konsolidimit tonë të brendshëm ta keni parasysh dobinë e madhe që e kemi në orientimin tonë euroatlantik dhe që është edhe ekonomik”, deklaroi Haradinaj.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Ministri i Financave Bedri Hamza, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe përfaqësues të odave ekonomike në Kosovë.

Administrata Tatimore e Kosovës është themeluar me datën 17 janar të vitit 2000, nën drejtimin dhe administrimin e UNMIK-ut. Drejtor i parë i ATK-së ishte ndërkombëtar, i punësuar nga një kontraktues i USAID-it. Ndërsa në vitin 2003, autoriteti për ATK-në u bart nga UNMIK-u tek Ministria për Ekonomi dhe Financa.