ATK gjen parregullsi në tetë Mobil Shop-at tjerë në Prishtinë

Pas pranimit të informacionit nga KALLXO.com se një numër i madh i dyqaneve të cilat merren me shitblerjen e telefonave po i shmangen detyrimeve tatimore, katër inspektorë të ATK-së dolën në terren dhe kryen kontrolle në një pjesë të Prishtinës.

Këtij kontrolli të martën iu nënshtruan tetë biznese ndërsa një javë më parë në një aksion me të gjerë u kontrolluan 17 biznese të këtij lloji.

Informacioni i qytetarit se këto biznese po u shmangen tatimeve, nuk po i regjistrojnë shitjet, nuk janë të pajisura me arka fiskale dhe nuk i kanë të deklaruar punëtorët, doli të jetë i saktë pasi në shumicën prej këtyre dyqaneve u hasën parregullsi të mëdha.

Inspektorët gjetën biznese pa arkë fiskale, arka fiskale me defekt, punëtorë të palajmëruar e po ashtu u konstatuan edhe mallra pa origjinë dhe mos-mbajtje të librave me rregull.

Pas përfundimit të kontrollit dhe konstatimit të gjendjes në teren pothuajse të gjitha dyqanet e kontrolluara u proceduan për në zyrën e ndëshkimeve tatimore “ZGJONA”.

Javën e kaluar KALLXO.com, raportoi aksionin e ATK-së ndaj 17 dyqaneve përgjatë rrugës në “Ulpianë”, të cilat merren me shitblerjen dhe servisimin e telefonave.

https://kallxo.com/pas-raportimit-te-kallxo-com-atk-gjen-parregullsi-ne-dyqanet-e-telefonave-mobile-ne-prishtine/

Në 14 nga këto lokale u konstatuan parregullsi të cilat u proceduan për në zyrën e ndëshkimeve.

KALLXO.com në vazhdimësi është duke i trajtuar të gjitha informacionet e qytetarëve e në veçanti ato të cilat kanë të bëjnë me dëmtimin e buxhetit të Republikës, me qëllim të luftimit të evazionit fiskal.

https://kallxo.com/atk-ne-aksion-ndaj-mobil-shop-eve-ne-prishtine-per-shmangie-nga-tatimi/

Muaj më parë, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Ambasada e Britanisë dhe Democracy Plus kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim rritjen e mbikëqyrjes së shoqërisë civile në proceset e Administratës Tatimore.

Një ndër qëllimet tjera të këtij memorandumi të bashkëpunimit është edhe angazhimi në luftën e kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe ekonomisë joformale.