Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga - Foto: KALLXO.com

Atifete Jahjaga në mesin e 100 personave më me reputacion në botë

Ish – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është ranguar në mesin e 100 personave më të respektueshëm në botë.

“Reputation Poll” e ka listuar Atifeten në mesin e emrave të njohur, si nga fusha e politikës, artit, religjionit, edukimit, filantropistë, biznesit, e shumë të tjera, shkruan rtv21.tv.

Në këtë listë, Atifetja është listuar përkrah Mbretëreshës Elizabetë II, që është më e moshuara në këtë listë. Ndërsa, më e reja është Malala, 21-vjeçare. Po ashtu, është dhënë edhe nga një përshkrim për secilin personazh.

“Atifete Jahjaga është politikane nga Kosova dhe shtetare, që ka shërbyer si presidentja e 3-të e Kosovës. Ajo ishte femra e parë presidente e Kosovës, që nuk i ka takuar asnjë partie politike dhe një nga femra më e re që ka udhëhequr vendin”, thuhet për Jahjagën.

Emra të tjerë të njohur janë princi Harry dhe princesha Meghan, Papa Françesku, ish – Zonja e Parë e shtetit amerikan, Michelle Obama, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, Sekretari Gjeneral i OKB-së, Antonio Gueterres, shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, këngëtari i njohur britanez, Ed Sheeran, këngëtari i njohur amerikan, John Legend, aktorja e njohur, Oprah Winfrey, e shumë emra të njohur.

Ishte 7 prilli i vitit 2011 kur për herë të parë në historinë e vendit, por edhe të Evropës Juglindore, në krye të shtetit erdhi një grua. Atifete Jahjaga ishte në postin e kryetares së shtetit deri në fillim të vitit 2016./21Media