Atentat në Qendër të Ankarasë

Së paku 25 persona janë vrarë e 75 janë plagosur nga një shpërthim që ka ndodhur sonte në kryeqytetin turk Ankara.

Sipas autoriteteve turke, të cituara nga agjencitë e huaja të lajmeve AFP, AP dhe Reuters, shpërthimi është një atentat me autobombë.

Kanali “CNN Turk” njofton se edhe dy persona kanë vdekur rrugës për në spital.

Edhe të shtëna janë dëgjuar pas shpërthimit, ndërkohë që ambulancat shkonin drejt vendit të ngjarjes, njofton Reuters.

Shpërthimi ka ndodhur afër parkut “Guven”, që gjendet në qendër të Ankarasë, afër një udhëkryqi të madh.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë ende askush, por një zyrtar i shërbimeve të sigurisë ka deklaruar se elementet e para të hetimit sugjerojnë se atentati është kryer nga PKK, Partia Punëtore e Kurdistanit, e cila nga Ankaraja konsiderohet si organizatë terroriste, ose nga një grup i afërt me të.

Më 17 shkurt, kryeqyteti turk ishte dridhur nga një atentat me autobombë, i cili kishte lënë afro 30 të vrarë.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri Ahmet Davutoglu kishin akuzuar për atentatin rebelët e PKK-së dhe luftëtarët kurdë të Sirisë të Njësive të Mbrojtjes Popullore (YPG).

Përgjegjësinë për këtë atentat e kishte marrë më pas një grup disident i PKK-së.