Asnjë deputet për seancën e jashtëzakonshme për ‘ekipin negociator’ të Qeverisë

Në kohën kur është dashur të fillonte seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e thirrur nga kryeministri Haradinaj, në orën 9, asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës nuk është paraqitur në sallën e Kuvendit.

Gazetarët e kameramanët kanë zënë vendet e tyre në pjesën prapme të sallës në pritje të ardhjes së deputetëve, por sinjali i transmetimit të Kuvendit tregon se asnjë deputet nuk ishte i pranishëm në orën 9.

Kuvendi i Kosovës pritet që sot të mbajë dy seanca. Në orën 9:00 është caktuar seanca e thirrur nga Kuvendi, ku Qeveria thotë se do të diskutojë për ekipin negociator që do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë. Ndërsa sot edhe opozita në Kuvend do të kërkojë miratimin e një rezolute për të kundërshtuar pjesëmarrjen e presidentit Hashim Thaçi në bisedimet në Bruksel.

Më herët, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka quajtur tendencioze seancën e thirrur të Qeverisë për ekipin negociator në dialogun me Serbinë, në ditën kur opozita synon që të miratojë një rezolutë për t’ia pamundësuar presidentit Hashim Thaçi pjesëmarrjen në Bruksel.

“Seanca e thirrur nga Qeveria për Ekipin Negociator nuk është asgjë më shumë sesa përpjekje për të bllokuar miratimin e rezolutës së opozitës e cila kërkon respektim të Kushtetutës në dialog me Serbinë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai thotë se është e pashpjegueshme ngutia e Qeverisë për seancë të jashtëzakonshme.

“Përndryshe nuk ka sesi të shpjegohet ngutia të shqyrtohet një vendim i Qeverisë në seancë të jashtëzakonshme, vendim i cili paska qenë duke pritur për më shumë se gjashtë muaj, në tavolinën e Kryeministrit i cili vazhdimisht ka deklaruar se nuk ka kohë të merret me dialog”, shkruan më tej Krasniqi.