Foto-ilustrim

Askush nga ‘Kosova Sot’ nuk po paraqitet në Gjykatë

Makifete Saliuka, tashmë gjyqtare në Gjykatën e Apelit, tash e disa vite është në kontest civil, ku ka paditur gazetën ”Kosova Sot” për kompensim dëmi në vlerë 700.000 euro.

“Kompensim dëmi moral – jomaterial  për shpifje dhe fyerje përgjatë vitit 2011-2012”, thuhet në padinë e gjyqtares Saliuka.

Rasti po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku paditësen Saliuka e përfaqëson avokati Selim Nikçi, raporton KALLXO.com.

Por në disa seanca të caktuara nga gjyqtari Atdhe Berisha, nga e paditura “Kosova Sot” nuk po paraqitet asnjë avokat apo përfaqësues.

Në këtë seancë nuk u paraqit as vetë paditësja Makifete Saliuka, e përfaqësuesit të saj, avokatit Selim Nikçi, gjyqtari Atdhe Berisha, i sqaroi se ka dërguar dy ftesa për të paditurën ”Kosova Sot”, por që të dyja janë kthyer e asnjërën nuk e ka pranuar askush nga ana e të paditurve.

Gjyqtari Atdhe Berisha tha që situata është paksa e paqartë.

I njëjti kishte dërguar ftesat në adresën zyrtare të të paditurit “Kosova Sot”, e nga zarfet ku janë ftesat e që janë kthyer në Gjykatë nuk është e qartë konstatimi i saktë.

“Në zarfe kemi më shumë se një konstatim, në një vend shkruan që është refuzuar të pranohet, diku gjendet që adresa e panjohur dhe se nuk ekziston adresa e shënuar nga Gjykata”, tha gjyqtari.

Ai tha se për ftesat e radhës që do t’i dërgojë të paditurës “Kosova Sot”, do të angazhohen personalisht dorëzuesit e Gjykatës Themelore të Prizrenit, e do të vërtetohet se cili është konstatimi përfundimtar për adresën e të paditurës.

Për seancat e radhës, të caktuara më 4 mars, avokati Selim Nikçi propozoi që të ftohet paditësja Makifete Saliuka, e sipas avokatit “ajo do të na sqarojë më mirë, dëmin që i është shkaktuar nga e paditura ‘Kosova Sot’, shqetësimi që i është shkaktuar, ka hasur edhe në pengesa për t’u avancuar në karrierë, shqetësimet, por edhe presioni që i është shkaktuar asaj për shkak se ka kryer punën e saj si gjyqtare”.

Por për propozimin e avokatit Nikçi, gjyqtari Berisha tha se do të vendoset tutje pasi që fillimisht të sqarohet situata lidhur me të paditurën “Kosova Sot”.

“Njëherë të sigurojmë adresën e të paditurës, e të sigurohemi që po i dërgojmë ftesat me rregull, e dikur do të vendosim se kënd të ftojmë për të dëgjuar si dëshmitar”, tha ai.

Paditësja Makifete Saliuka pretendon se e paditura “Kosova Sot” të gjithë fushatën e saj e ka drejtuar pronari Ruzhdi Kadriu me të bijën Margarita Kadriu.

E sipas paditëses e gjithë kjo me qëllim për t’iu hakmarrë, sepse Saliuka në kohën sa ishte gjyqtare ka gjykuar lëndën civile, sipas padisë së paditësit Lulzim Rexha nga Prekazi, e cili kishte paditur gazetën “Kosova Sot” për kompensim dëmi të cilin e ka kërkuar Lulzim Rexha.

Si ish-punëtor i gazetës, Lulzim Rexha kishte paditur gazetën “Kosova Sot”, për humbjen e krahut të djathtë deri në nivelin e nën-bërrylit si pasojë e lëndimit në vendin e punës.

Paditësja Saliuka në padinë e saj thekson se me aktgjykimin e datës 2006 me të cilin i është aprovuar pjesërisht padia e Lulzim Rexhës, e pas ankesave të palës, edhe dy instancat më të larta atëherë Gjykata e Qarku, dhe Gjykata Supreme nuk kanë konstatuar as më të voglën shkelje procedurale nga gjyqtarja e atij rasti, respketivisht gjyqtarja Makifete Saliuka.

Lidhur me këto paditësja si prova i ka dorëzuar Gjykatës të tre aktgjykimet e rastit, atë të Gjykatës Komunale, të Gjykatës së Qarkut dhe të Gjykatës Supreme.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!