ASK-ja Konfirmon Rritjen Ekonomike 3.5 Për Qind
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza në konferencën e fundit për vitin 2015 kishte deklaruar se Kosova po e mbyll vitin me një normë rritjeje prej 3.5 për qind që sipas tij ishte shkaktuar nga remitancat, investimet e huaja dhe kreditimi.
Nga të dhënat e Agjencisë sëStatistikave tëKosovës (ASK), ekonomia e vendit shënoi një rritje prej 1.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2015, kurse në tremujorin e dytë po të këtij viti rritja ka qenë dukshëm më e lartë-4.8 përqind. Po ashtu, ritmi i përshpejtuar i rritjes së aktivitetit ekonomik ka qenë i pranishëm edhe në tremujorin e tretë të vitit 2015, kur norma reale e rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) ishte 4.0 për qind.
Vlerësimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për tërë vitin 2015, sugjerojnë se norma reale e rritjes së PBB-së ishte 3.5 për qind, kryesisht e gjeneruar nga kërkesa e brendshme, thuhet në raportin e vlerësimit tremujor të ekonomisë të publikuar nga ana e këtij institucioni.
Gjithashtu, sipas të dhënave të BQK-së, investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë kaluar vlerën e mbi 300 milionë eurove.
Kurse sipas vlerësimeve të ASK-së investimet e huaja deri në shtator 2015 shënuan rënie prej për 4.7 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të 2014-ës.
ASK-ja bën me dije se konsumi deri në shttor të vitit të kaluar shënoi rritje prej 1.2 p[r qind, ndërsa rritja e konsumit në raport me periudhën janar-shtator 2014 ishte 3.8 për qind.
Sektorët që shënuan rritjen më lartë ishin sektori i furnizimit me energji elektrike, ai i gazit dhe ujit me 16.4 për qind, sektori i hotelerisë dhe restoranteve me 15.3 për qind, ndërtimtaria 10.7 për qind dhe tregtia 4.5 për qind.
Mirëpo, sektori i administrimit publik dhe ai i shërbimeve tjera pësuan rënie prej 4.9 për qind, përkatësisht 1.5 për qind.