Liqeni i Vërmicës i 'ngufatur' nga mbeturinat - Foto: Facebook

ASK: Bie furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbeturinave

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës “Statistikat Afatshkurtra të Industrisë” bëhet e ditur se industria nxjerrëse dhe përpunuese shënoi rritje në muajt prill, maj dhe qershor në krahasim me furnizimin me ujë dhe trajtimin e mbeturinave që shënuan rënie.

“Në tremujorin e dytë të vitit 2018, krahasuar me tremujorin e parë (TM1) 2018, ka pasur rritje industria nxjerrëse (B) për 65.96% dhe industria përpunuese (C) për 36.90%. Kurse, kishte rënie te sektori i furnizimit me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (E) për 21.55% dhe te sektori i furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (D) për 21.42%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas komunikatës, në tremujorin e dytë 2018 krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak ka pasur rritje te sektori i industrisë nxjerrëse (B) për 9.93 për qind, furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (E) për 5.0 për qind dhe te industria përpunuese (C) për 0.11 për qind. Kurse, ka pasur rënie te furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (D) për 9.3 për qind.

ASK sqaron se në këtë anketë, të dhënat që ofron synon të paraqesë ecurinë në industri (B – Nxjerrëse, C – Përpunuese, D – Furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar dhe E – Furnizim me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe të trajtimit të mbeturinave) në periudha tremujore, nëpërmjet të cilave kuptohet zhvillimi i ciklit në industri.