ASHAK promovon librin e kryetarit të saj për 'lindjen e vështirë' të shtetësisë së Kosovës
Zhvillimet që kanë karakterizuar lindjen e shtetit të Kosovës, prapaskenat dhe sfida që është ballafaquar politika kosovare, veçmas lidershipi i saj, në përballje me misionet ndërkombëtare, janë përmbledhur në librin ‘Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, të akademik Nexhat Dacit.
Libri është promovuar sot, më 15 tetor 2018, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në prani të shefave kryesore të shtetit, kryetari Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.
Duke folur për librin, autori akademik Nexhat Daci, kryetar i ASHAK, ka pohuar ndër të tjerash se në këtë libër janë përmbledhur përvojat e tij, sidomos si kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe të politikës kosovare dejt shtetndërtimit përballë, siç ka thënë ai, sfidave dhe pengesave, kur UNMIK nuk lejonte as zyrë për kryetarin e Kuvendit.
“Krejt këto sjellje më kanë detyruar të shkruaj rrjedhën e ngjarjeve për të parë që edhe sot shumë pjesë të politikës ndërkombëtare nuk janë të ndershme ndaj popullit dhe klasës politike të Kosovës. Asnjë mision ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara nuk e ka fituar titullin mision pesë yjesh”, ka thënë ai.
Daci ka kujtuar edhe kohën kur ai drejtonte Kuvendit e Kosovës, që sipas tij klasa politike e asaj kohe ishte shumë me intelektuale se sa kjo e sotmja, duke mos kursyer edhe thumbimet ndaj opozitës së sotme.
“Është koha të realizimin të shtetësisë së plotë të Kosovës, e jo për kur po i mbajmë zgjedhjet dhe kur po e rrëzojmë presidentin dhe qeverinë. Si është e mundur në një vend që nuk ka lëvizje të lirisë krejt koha të shpenzohet për këtë”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Ndërsa prezencën e Thaçit dhe Haradinajt e ka quajtur si një nderë të veçantë për ASHAK-un.
Kurse duke vlerësuar librin, Akademik Arsim Bajrami, ka thënë se libri i akademik Dacit ofron dëshmi për të kuptuar situatën, sfidat dhe zhvillimet që kanë karakterizuar punë e institucioneve për shtet ndërtim.
“Ky libër na ofron dëshmi për të kuptuar situatën nga 2001 kur u nxor Korniza Kushtuese për vetëqeverisje, sjellë, pengesat dhe lajthitje që i ka sjellë misioni i UNMIK-ut për shtetin e Kosovës”, ka thënë Arsim Bajrami.
Ndërsa akademikja Gjyljeta Mushkolaj ka potencuar se ky libër plotëson një boshllëk për zhvillimet që kanë karakterizuar periudhën e lindjes së shtetit të Kosovës, për të parë dhe njohur më mirë sjelljet e politikës së atëhershme të misioneve ndërkombëtare, sidomos UNMIK-ut.
”Libri është i rëndësishme për ta kuptuar periudhën dhe zhvillimeve që karakterizuar shtet ndërtimin e Kosovës”, ka thënë Mushkolaj.