Asfaltohen dy rrugë në Skenderaj

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se kanë përfunduar projektin e asfaltimit të segmenteve rrugore në rrugët “Murat Loshi” dhe “Muhamet Loshi” në fshatin Pemishtë.

Këtë e ka bërë të ditur përmes rrjetit të tij social në “Facebook”.

Sipas tij, prej më shumë se 19 vitesh në këto rrugë nuk është ndërhyrë asgjë.

“Prej më shumë se 19 vitesh pa asnjë ndërhyrje deri më tani, dhe duke iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, për rregullim të infrastrukturës rrugore brenda territorit të komunës sonë, këto ditë kemi përfunduar me sukses projektin e asfaltimit të segmenteve rrugore në fshatin Pemishtë, më saktësisht janë asfaltuar rrugët “Murat Loshi” dhe “Muhamet Loshi”, në gjatësi të përgjithshme prej 1,720 metra”, ka shkruar Jashari.

Tutje ka shtuar se qeverisja e tij ka në “prioritet kompletimin e tërësishëm të rrjetit rrugor brenda vijave kufizuese të Komunës së Skenderajt, ku secili qytetar, secili fshat do të trajtohet dinjitetshëm, nëpërmjet investimeve kapitale dhe projekteve zhvillimor”.