Arkiv - Shpend Ahmeti_Autobusë

Asamblisti: Shpend Ahmeti vendos krye më vete rreth bordit të Stacionit të Autobusëve

Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se Komisioni i Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike “Stacioni i Autobusëve”, ka marrë vendim sot që të shkarkojë Bordin e kësaj ndërmarrjeje, dhe të caktojë anëtarët e rinj, “në mënyrë që të vazhdohet me reforma”.

Por në lidhje më këtë vendim duket se nuk ishin të njoftuar më parë as asamblistët e Komunës e as ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Stacionin e Autobusëve, Emin Sylejmani.

“Unë sapo e kam marrë informatën prej Facebook-ut përndryshe informatë tjetër nuk kam, derisa nuk e marrë informatën në mënyrë direkte, qoftë prej aksionarit, qoftë prej bordit të cilit është shkarku, tani për tani nuk mund të them asgjë”, tha Sylejmani për KALLXO.com.

Asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri po ashtu tha se nuk ishte në dijeni më parë në lidhje me shkarkimin e këtij bordi.

“Për këtë çështje unë vetëm prej mediave kam marrë informacion. Nuk kemi pasur diskutime për këtë e këto vendime kryetari i ka marrë krye në veti. Shpresoj që në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit na raportojnë dhe do të kërkojmë sqarim shtesë prej kryetarit”, tha ai për KALLXO.com.

Në një prononcim për KALLXO.com, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi e ka quajtur këtë si qëllim që të falimentohet dhe të privatizohet kjo ndërmarrje.

“E qysh kemi thënë edhe më herët është një keqpërdorim i madh që është duke ju bërë ndërmarrjeve publike, ne edhe më herët kemi thënë që qëllimi është të falimentohet.  Në mënyrë që me u privatizu sa më lehtë kjo ndërmarrje në partneritet publiko-privat më kompanitë të afërta më Shpend Ahmetin. Arsyeja pse kjo ndërmarrje nuk po funksionalizohet është qe po ndodhin keqpërdorime të ndryshme, është qëllimi i falimentimit dhe pastaj privatizimit”, tha Azemi për KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës anëtarët e rinj të Bordit janë:

  1. Faton Raçi
  2. Anita Morina Saraqi
  3. Afërdita Syla Ismaili
  4. Fatmir Morina