Asamblisti i Pejës Plagoset me Thikë Shkaku i Emërtimit të Rrugës

Asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunale të Pejës, Milazim Shala, ka marrë plagë në trup sot si pasojë e një sulmi me thikë nga një person i cili është arrestuar menjëherë nga ana e policisë.

Drejtori i spitalit rajonal të Pejës, Skender Dresha, konfirmoi për KALLXO.com se rreth orës 12:45 është sjellë një person i cili kishte lëndime trupore nga thika në pjesën e sipërme të barkut.

“Pas ekzaminimit, pacienti ka hyrë në sallën e operimit. Nga thika ka pasur prerje në lukth e cila është sajuar gjatë operacionit. Gjendja e pacientit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, tha Dresha.

Policia e Kosovës ka raportuar se ngjarja ka ndodbhur sot rreth mesditës në sheshin “Haxhi Zeka” në Pejë.

“Në bazë të hetimeve të para, motivi i ngjarjes ka të bëjë me një emërtimin e një rruge në fshatin Poqestë të Pejës, e cila gjendet pranë shtëpisë së të dyshuarit dhe nuk ka të bëjë si rast që ka ndodh për ndonjë motiv tjetër”, thuhet në komunikatën e Policisë.

I dyshuari me inicialet M.K. sipas policisë, kishte provuar të ikte, por është kapur nga policia një orë pas sulmit. Në stacion atij i është konfiskuar edhe mjeti me të cilin dyshohet se e ka kryer veprën.

Me vendim të prokurorit shtetit, M.K. është dërguar në paraburgim prej 48 orëve për të vazhduar me procedura të mëtejme.