Asambleja e Prishtinës Nuk e Voton Parcelën për Ambasadën e Shqipërisë

Përderisa në sallën e Kuvendit Komunal fizikisht prezentë ishin 32 këshilltarë komunalë, vetëm 25 prej tyre vendosën ta dëshmonin prezencën e tyre në mënyrë elektronike gjatë votimit të këtij propozimvendimi.

Që prona e komunës të jepet në shfrytëzim duhet të votohet nga shumica e Kuvendit Komunal pra 26 këshilltarë komunalë nga 51 sa janë gjithsej.

Sipas Ardian Ollurit, shefit të zyrës ligjore, afati ligjor për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës për një periudhë afatgjatë ka kaluar pasi data e fundit ka qenë 15 maji. Mbledhja e sotme ka qenë vazhdim i mbledhjes së tretë të Kuvendit Komunal që ka filluar me 15 maj ku janë trajtuar pikat e rendit të ditës por disa pika të saj kishin mbetur pa u shqyrtuar.

Mirlinda Sopi, këshilltare nga Aleanca Kosova e Re (AKR), para se ky propozimvendim të hidhej në votim tha se Shqipëria për Kosovën ka dhënë një parcelë, e ka bërë ndërtimin dhe ka dhënë gjithçka në shfrytëzim pa pagesë.

“Unë sinqerisht po ju ftoj që të jemi korrekt karshi Shqipërisë sepse po dalim shumë të papjekur dhe nuk është fer sidomos në rrafshin diplomatik që Prishtina në 4 vjet mandat nuk është në gjendje me nda një parcelë”, tha Sopi.

Kurse Shefki Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tha se prona të cilën Komuna e Prishtinës po synon t’ia ndajë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë i është dhënë LDK-së.

“Nuk është në rregull që Ambasada e Shqipërisë me shku me lyp konflikt, pse është tokë e LDK-së, po du me marrë. Ajo tokë është e dhënë për momentin dhe për këtë LDK-ja dhe Shefki Gashi posaçërisht është kundër”, nënvizoi Gashi.

Nga ana tjetër, Ardian Olluri, shef i Zyrës Ligjore tha se toka nuk i është dhënë në shfrytëzim LDK-së por vetëm i është caktuar lokacioni.

“Pastaj është dashtë me u marrë një vendim për me u dhonë në shfrytëzim edhe me u nënshkru një kontratë, pra vetëm i është caktu lokacioni, prona është ende në dorën e komunës”, tha Olluri.

Gjatë kësaj mbledhje nuk u miratua as propozimvendimi për miratimin e planit rregullues të hollësishëm për blloqet B 17, B 18, B 19 dhe B 20 në lagjen “Mati 1”-2017-2025. Nga 32 sa ishin prezentë 14 këshilltarë komunalë votuan për, 10 votuan kundër dhe 7 prej tyre abstenuan. Gjithashtu me 17 vota për dhe 16 kundër nga 34 këshilltarë komunalë sa ishin prezentë në sallë, nuk kaloi as propozimvendimi për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim të N.P.L “Hortikultura”. Edhe për kalimin e këtij propozimvendimi duheshin shumica e votave të Kuvendit Komunal.

Kurse me shumicë votash u miratua propozimvendimi për lënie në dispozicion të Projektplanit rregullues të hollësishëm për tërësinë urbane “B” të Lagjes “Prishtina e Re – Zona Lindje. Nga 33 sa ishin prezentë në sallë 24 këshilltarë komunalë votuan për, 2 votuan kundër dhe 6 prej tyre abstenuan. Edhe propozimvendimi për miratimin e Planit rregullues të hollësishëm “Kodra e Trimave 1” u miratua me shumicë votash, ku nga 31 sa ishin prezentë, 18 votuan për, 6 votuan kundër dhe 6 të tjerë abstenuan.